Ditari në dy vëllime i Tolstojt i përgatitur nga R. F. Christian përfshin vitet (vëllim i parë)1847-1894 dhe (vëllimi i dytë) 1895-1910. Këto qindra faqe pasqyrojnë preokupimet e autorit si shkrimtar dhe zhvillimin e tij si person dhe mendimtar. Në to po ashtu gjejmë edhe qëndrimin e tij ndaj problemeve shoqërore, jetës rurale, industrializimit, edukimit dhe më vonë çështjeve religjioze dhe shpirtërore
SOT ËSHTË 22 SHTATOR, JASNAJA POLJANA.
I shkrova një letër Sonjës dje që t’i them se nuk mund të udhëhiqem në shkrimin tim nga opinionet e saj1. I shkrova nga zemra dhe me një loj ndjeshmerie. Edhe ajo e pranoi këtë me të njëjtën ndjeshmëri. Dhe e përfundova përkthimin me Langletin2. Sot kam qenë i zënë me artin, por s’mund të vazhdoj tutje me tërë këtë, pastaj u zhgënjeva me atë që tashmë kisha shkruar. Sonja erdhi sot. Gjatë natës vrava mendjen rreth ndarjes së epshit nga dashuria dhe rreth faktit se që të dyja janë nocione ekstra-sensoriale…
SOT ËSHTË 14 TETOR, JASNAJA POLJANA
Po bëhen tri ditë prej se ka ardhru Sonja. Jam vetëm me të. Ajo po merret me ca kopjime. Po më del krah bukur fort. Ende po shkruaj për artin. E rishikova kreun e dhjetë sot. Dhe e qartësova atë që ishte e paqartë. Më duhet ta kopjoj fletoren time të shënimeve, kam frikë se kam harruar shumë gjëra.
(1) Asgjë nuk e mbështet më shumë një jetë të qetë egoistike se sa të merresh me art për hir të artit. Despotët dhe zuzarët me siguri duhet ta duan artin. Kam bërë diku një shënim të tillë, por s’e mbaj mend tash…
(4) Hollësi nga Haxhi Murati: 1- Hija e një shqiponje sillet anës së një bjeshke; 2- ka gjurmë të kafshëve të egra, kuajsh dhe njerëzish në rërën anës lumit; 3- derisa ngarendin drejt maleve, kuajt hingëllijnë fort; 4- një cjap kërcen nga një shkurre ashe.
(5) Kur njerëzit jepen pas Shekspirit ose Bethovenit, ata jepen pas mendimeve dhe ëndrrave të veta të evokuara nga Shekspiri ose Bethoveni, ashtu siç njerëzit e dashuruar nuk e duan objektin e dashurisë së tyre, por atë që e evokon atë…
(7) … Folur në përgjithësi – nuk e di pse – nuk kam at ndjesinë religjioze që e kisha më parë kur e mbaja ditarin tim veç për veten time. Fakti se njerëzit e kanë lexuar atë dhe mund ta lexojnë në të ardhmen e shkatërron këtë ndjesi. Por ajo ndjesi ka qenë e çmueshme dhe më ka ndihmuar në jetën time. Duke u nisur nga sot, më 14, do të filloj të shkruaj përsëri si dikur – kështu që askush s’duhet ta lexoj gjatë jetës sime. Nëse do të ketë mendime që meritojnë të mbesin aty, do t’i kopjoj dhe do t’ia dërgoj Çertkovit…
(14) Zemërohesh me një grua, ngase ajo nuk kupton diçka, ose ajo kupton, por nuk bën atë që i thotë arsyeja. S’mund ta bëjë këtë. Ashtu siç vepron magneti në hekur dhe nuk vepron në dru, po ashtu konkluzionet e arsyes nuk janë penguese për të, nuk janë forca motivuese. Ndjenja dhe konkluzionet e arsyes janë penguese për të vetëm kur janë të transmetuara nga një autoritet, dmth ndjenja e një dëshire që duhet lënë mbrapa të tjerave. Dhe kështu ajo nuk do ta besojë ose ndjekë një nevojë të natyrshme të arsyes veç nëse është e konfirmuar nga një autoritet, por ajo do të besojë dhe ndjekë marrëzinë më të madhe përderisa çdonjëri e bën të njëjtën gjë. Nuk mund të bëjë ndryshe. Dhe ne tërbohemi. Ka shumë njerëz të tillë po ashtu – si gratë…
(18) Ngava mbrapa ndërtesave. Solla ndërmend netët që i kaloja aty dhe rininë dhe bukurinë e Dunjashës3 (S’kam pasur kurrë ndonjë lidhje dashurore me të), trupin e saj femëror të fortë. Ku është? Tashmë s’kanë mbetur veçse eshtrat e saj. Çka janë ato eshtra? Çfarë lidhjeje kanë ato me Dunjashën? Kishte një kohë kur ato eshtra përbënin pjesën e asaj qenie të pandarë që ishte Dunjasha. Por pastaj ajo qenie e ka zhvendosur qendrën e saj dhe ajo që ishte Dunjasha u bë pjesë e një qenieje tjetër, e pamatshme në masë dhe e paqashme prej meje, që unë e quaj toka. Ne s’e njohim jetën e tokës, kështu që e quajmë të vdekur, ashtu siç një insekt që jeton veç për një orë e konsideron trupin tim të vdekur, ngase nuk sheh lëvizjen e tij…
Letra drejtuar për në Stokholm4 është shtypur.
SOT ËSHTË 16 TETOR, JASNAJA POLJANA
Dje nuk shkrova në ditar. Shëndeti është përmirësuar bukur mirë. Sonja ende po punon goxha shumë me mua dhe po më del krah5. Një letër nga Olga Dieterich6 dhe një nga Çertkovi. Natyrisht ai – prandaj edhe të tjerët – ka kaluar një periudhë të vështirë. Dje mbrëma dhe sot desha të vazhdoja me Haxhi Muratin. Fillova diçka. Dukej goxha mirë, por nuk vazhdova ngase s’e kisha nën kontroll të plotë. S’duhet ta prish, duke e bërë me zor. Gazeta e Petersburgut ende s’e ka botuar letrën time7.
Shënime: (1) Kam vënë në letër shumë shqyrtime dhe rregulla që, po u mbajtën në mend, do të siguronin një jetë të mirë. Po, ka tepër rregulla dhe është e pamundshme të mbash në mend gjithmonë të gjitha. E njëjta gjë është me artin e sajuar. Tepër rregulla dhe e pamundshme të mbash në mend të gjitha ato. Arti duhet të vijë nga brenda dhe të udhëhiqet me ndjenjë…
SOT ËSHTË 21 TETOR, JASNAJA POLJANA
I mora bocat e artikullit të Zdrukthëtarit nga Lajmëtari verior dhe nisa të shkruaja një parathënie…
SOT ËSHTË 10 NËNTOR, JASNAJA POLJANA
Kam bërë goxha jetë këtyre dy javëve. Ende duke bërë të njëjtën punë. Mendoj se do ta mbaroj. Sot i shkrova ca letra dhe në mesin e tyre një për Grotin, ku i kërkova të bëjë radhitjen8. Sonja ka qenë këtu; u nis për në Moskë nga Pirogovo, ku ishim bashkë. Qe bukur aty. Prej se jam kthyer më dhemb shpina dhe kam ethe në mbrëmje.
Aleksander Petroviçi është këtu, duke shkruar. Shkova te Jasenki sot me Ljoven dhe ai zuri një muhabet të lezetshëm rreth kulturës. S’do të ishte shok i keq, sikur të mos ishte për atë emëruesin e paanë mbrapa një numëratori tejet të vogël.
Sot i shkrova nëntë letra. Vetëm edhe një më ka mbetur, ajo për Kilkovin. Biznesi dhe gjendja e tij janë të tmerrshme9. Mikajla Novikovi ishte këtu, edhe një fshatar nga Kazani, një poet.
Mendova: (1) Gjendja e njerëzve që janë të trullosur nga religjioni i rremë është po ajo tifozllëkut të njeriut të verbër: sytë e tij janë të fashuar, dikush i kap për krahu dhe i sill rrotull. Pastaj lirohen. Kështu është për këdo. Nuk lirohen derisa të jetë bërë e gjithë ajo…
Eca mespërmes fshatit, duke shikuar nëpër dritare. Varfëri dhe injorancë ngado dhe mendja me shkoi te skllaveria e dikurshme. Për atë të ishte dikur mund të gjesh shkakun, mund të shohësh vargonjtë që mbanin të lidhur njerëzit, por tash këtu s’ka kurrfarë vargonjsh – dhe në Evropë ka vetëm qime, por po aq sa ato që kishin lidhur Guliverin. Në vendin tonë ene mund të shohësh litarë,ose sidoqoftë spango, ndërsa andej tutje ka veç qime, por ato i mbajnë ata aq shtrëngueshëm se populli gjigant s’mund të lëvizë. Shpëtimi i vetëm është të mos shtrihen, të mos shkojnë të flenë. Mashtrimi është aq i madh dhe aq dinak shpesh i sheh njerëzit e vërtetë të cilëve ua kanë pirë gjakun dhe janë shkatërruar i mbrojnë gjithë pasion gjakthithësit e tyre dhe i sulmojnë ata që janë kundër tyre. Me ne është Cari.
12 NËNTOR, JASNAJA POLJANA
Pjotr Osipovi erdhi sot: ‘aty ku jetojmë ne kanë nisur të shesin indulgjenca’. Vladimiri i Virgjër ishte aty dhe plaku i katundit ishte urdhëruar të çonte njerëzit në kishë10. Ljova ka gjetur minerale dhe i duket krejt e natyrshme që njerëzit të jetojnë nëntokë, nga frika për jetët e tyre, derisa të gjejë të ardhurat11. Pardje kishte ardhur një telegram nga Tanja që thoshte se e kanë ndalur atje. Mezi po pres të kthehet. Gjëja më e rëndësishme është se kam ndarë mendjen të shkruaj Apelin: nuk mund ta shtyj për më vonë. Sot e rishikova artikullin shkencor. Tash është mbrëmje. Kam bërë dy versione të Apelit dhe më duhet të punoj në to.
Shënime:
1) Ajo e kishte kundërshtuar fuqishëm Tolstoin që t’i dërgonte letrën shtypit suedez, për shkak të abuzimit të shfrenuar të qeverisë ruse.
2) Përkthimi në suedisht i letrës së Tolstoit drejtuar shtypit suedez, i bërë nga një suedez që atokohë ishte në Jasnaja Poljana.
3) Në të vërtetë ekzistonin tri Dunjasha në mesin e banorëve të shtëpisë së Tolstoit. Mendohet se Tolstoi i referohet këtu Jevdokija Nikolajevna Orekovës, shërbyese pas së cilës ai ishte dhënë fort një kohë.
4) Letra e Tolstoit përkitazi me çimimin Nobel e botuar në Stockholms Dagblad në tetor.
5) Pavarësisht marrëdhënieve të tyre të acaruara, Sonja po e ndihte të shoqin duke kopjuar artikullin Çka është arti?
6) Motra e vogël e gruas së çertkovit, që u martua me Andrej Tolstojn më 1899.
7) Letra e tij rreth kongresit misionar të Kazanit. Në të vërtetë ishte botuar një ditë më parë.
8)Të Çka është arti?, që duhej të shtypej në gazetën e Grotit, Probleme të filozofisë dhe psikologjisë.
9) Kopisti A. P. Ivanov.
10) referencë në prishjen e martesës së Kilkovit.
11) P. O. Zjabrevi, ish nxënës në shkollën e Tolstojt, i kishe treguar rreth një procesioni të murgjve që bartnin një ikonë të Vladimirit të Virgjër përmes famullive lokale dhe shisnin indulgjenca.
/Marrë nga ‘Tolstoy’s Diaries, Volume 2’, Charles Scribner’s Sons, 1985
/Gazeta Express