Në festën e ditëlindjes së Mbretit, ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se në takimin që kishte me Mbretin Charles, ai kishte kujtuar vizitën e tij në Kosovë dhe takimin që ka pasë me tashmë të ndjerin, Bajram Çerkini.
Ambasadori tha se kjo festë që u mbajt në Prishtinë shërbeu edhe si reflektim për miqësinë e thellë ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hargreaves ndau një pjesë të fjalimit të tij.
“Ne jemi këtu për të festuar ditëlindjen e Madhërisë së Tij Mbretit Charles III, një miku i madh i Kosovës. Gruaja ime Kate dhe unë patëm nderin e madh ta takojmë atë në Pallatin Buckingham në nëntor. Ai kujtoi me dashuri vizitën e tij në Kosovë në vitin 2016, duke përfshirë vizitën e tij në Prizren, dhe në veçanti takimin e tij me Bacën Bajram të mrekullueshëm, i cili fatkeqësisht vdiq në fillim të këtij viti”.
“Ngjarja e sonte është një festë edhe e ditëlindjes së Madhërisë së Tij, edhe e miqësisë së thellë ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Javën e kaluar kujtuam ardhjen e trupave britanike në vitin 1999 në pararojë të ndërhyrjes së NATO-s për të ndaluar tmerret që po ndodhin në këtë vend. Aajo hapi rrugën për shtetin multietnik, demokratik, europian, në paqe me fqinjët, drejt të cilit Kosova ka bërë shumë përparim që nga ajo ditë”.
Ai tha se ky është vizioni i Kosovës për të cilin njerëzit në shërbim dhe gazetarët britanikë, së bashku me partnerët tjerë ndërkombëtarë, e kanë vënë veten në rrezik.
“Është vizioni i një vendi ku qytetarët e tij tani mund të presin që liderët e tyre të punojnë së bashku për të vepruar me vendosmëri në emër të tyre, pa pasur nevojë për ndërhyrje nga aleatët. Dhe të një vendi ku të drejtat e komuniteteve joshumicë mbrohen dhe promovohen në mënyrë aktive”.
“Jemi krenarë për punën që bëjmë me të gjithë ju sot këtu, të cilët të gjithë luani rolin tuaj në formësimin e së ardhmes së Kosovës. Faleminderit për miqësinë, bashkëpunimin dhe shpresën që keni sjellë”.