Bashkudhëheqësi i Guxo, Faton Peci, ka tentuar t’i dalë në mbrojtje bashkëpartiakes së tij me të cilën ndan këtë pozitë, Donika Gërvalla, në një reagim ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili dje, duke aluduar në Gërvallën, ka thënë se figurat e tilla janë shumë të paedukatë.
“Besoj që figura të tilla, përveç që janë të paedukatë në shumicën e rasteve, kanë edhe mungesë shumë të theksuar të inteligjencës, sepse s’kanë kuptim çka flasin”, tha Abdixhiku, duke reaguar ndaj deklaratave të Vetëvendosjes që akuzojnë LDK-në për bashkëpunim të mundshëm me PDK-në dhe Listën Serbe, duke kritikuar në veçanti kryediplomaten në dorëheqje.
Në vend të Gërvallës, Abdixhikut sot i reagoi Peci.
Ai pretendoi se nëse i thuhet Donika Gërvallës e paedukatë është fyerje ndaj babait të saj, Jusuf Gërvalla e familjes.
“Është jo vetëm e pakuptueshme e irituese, por edhe e tmerrshme të dëgjojmë Lumir Abdixhikun duke e cilësuar Donika Gërvallën si “e paedukatë’. Lumir, përgjegjëse primare dhe absolute për edukimin e një personi është familja. E, nëse i thua Donikës “e paedukatë”, ti e ke fyer heroin e Kosovës e frymëzimin patriotik e shpirtëror të gjeneratave, Jusuf Gërvallën, e ke fyer heroinën e Kosovës, Suzanën, atë që rriti e edukoi tre fëmijët shembullorë të heroit dhe e ke fyer Nanën Ajshe, që jo vetëm që është gjyshja e shtylla e kësaj familjeje, po është institucion i qenies shqiptare. A je n’vete se çka po fyen, Lumir?!”.
Peci pati edhe diçka për të shtuar, duke e përdorur një term përçmues ndaj Abdixhikut.
“Edhe diçka, Lumir gojëlëshuari:
Në mbijetesën e shqiptarit të gjysmës së dytë të shekullit 20 dhe në frymëzimin e tij për liri e pavarësi, rolin kryesor dhe burimin e kthesës historike e kanë:
– familja e fortë e shqiptarit,
– rënia frymëzuese e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut,
– lëvizja historike e Ibrahim Rugovës, dhe
– flijimi i familjes Jashari.
Në t’gjitha, Donika jonë është e lidhur pashkëputshëm: me lidhje gjaku, me vizion, me aktivitet 35 vjeçar dhe me respektin sublim.
Ku je i lidhur ti me këto shtylla, o Lumir pishpiriku!”.