835 kg pluhur frutash me pigmentin e ndaluar “e kuqe reaktive 141” janë tregtuar dhe konsumuar në pastiçeri në Shqipëri. Produkti, me origjinë nga Turqia, u importua nga kompania BBI Group, ndërsa totali i sasisë së futur në vend ishte 1200 kg, raporton Ora news.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar vetëm 365 kg, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në treg. Pigmenti, që përdoret për ngjyrosjen e tekstileve, është rreptësisht i ndaluar në ushqime, për shkak të rrezikut të lartë toksikologjik dhe potencialit kancerogjen. Alarmi u dha fillimisht nga autoritetet greke pas analizave në produktin “Red Forest Fruit Cake”. Në BE, ky pigment është i ndaluar edhe për kozmetike dhe lodra për fëmijë.