Një shkencëtar bërthamor iranian është vrarë gjatë një sulmi izraelit ndaj një ndërtese në Teheran të premten, raporton Reuters, sipas mediave izraelite.
Nga ushtria izraelite nuk ka pasur ende ndonjë koment por, media kombëtare e Izraelit Kan ka cituar një burim që ka njoftuar se shkencëtari ishte vrarë gjatë një sulmi me dron ndaj një apartamenti në kryeqytetin iranian, transmeton Express.
Ky sulm vjen ndërsa ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se kishte urdhëruar ushtrinë të intensifikonte goditjet ndaj “simbolëve të regjimit” në kryeqytetin iranian, Teheran, me synimin për ta destabilizuar atë.
“Duhet të godasim të gjitha simbolet e regjimit dhe mekanizmat e shtypjes së popullatës, siç është milicia Basij, si dhe bazën e fuqisë së regjimit, si Garda Revolucionare,” është shprehur Katz në një deklaratë.
Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se më shumë se 25 avionë luftarakë të forcave ajrore kanë sulmuar dhe shkatërruar mbi 35 objekte të ruajtjes dhe lëshimit të raketave në Iran në orët e mëngjesit të së premtes.