Tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit po shndërrohet në një kërcënim serioz për shoqërinë.
Kjo tregti po i ekspozon konsumatorët ndaj produkteve të rrezikshme e të pakontrolluara, duke dëmtuar rëndë bizneset e ligjshme dhe duke i privuar shtetet nga të ardhurat tatimore, të cilat janë shumë të nevojshme. Njëkohësisht, nxit organizatat kriminale që të zgjerojnë aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm.
Vitet e fundit, eliminimi i tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit është bërë edhe më urgjent, pasi pengon përparimin drejt përmirësimit të shëndetit publik dhe minon të ardhmen pa tym – një të ardhme ku cigaret nuk ekzistojnë më, sepse janë zëvendësuara me alternativa më pak të dëmshme për të rriturit që, përndryshe, do të kishin vazhduar të konsumonin duhan.
Cigaret janë forma më e dëmshme e konsumit të nikotinës dhe është në interes të shoqërisë të ndihmojë duhanpirësit të largohen prej tyre. Fatkeqësisht, cigaret që tregtohen në mënyrë të jashtëligjshme dëmtojnë përpjekjet për të ulur shkallën e duhanpirjes. Sipas raportimeve të autoriteteve përkatëse në Shqipëri dhe Kosovë, janë regjistruar me qindra raste të produkteve të kontrabanduara, që nuk përmbajnë asnjë informacion mbi origjinën. Këto produkte shpërndahen lirshëm në treg, duke sfiduar ligjin dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e konsumatorëve.
Me prezantimin e alternativave pa tym, shitësit në tregun e zi kanë filluar të kthejnë vëmendjen edhe te këto produkte. Ndaj, nëse duam të arrijmë një të ardhme pa tym, është jetike që qeveritë të trajtojnë tregtinë e paligjshme të të gjitha produkteve që përmbajnë nikotinë. Padyshim, kjo nuk është një detyrë e lehtë.
Tregtia e paligjshme është një fenomen kompleks dhe i gjerë, i cili mund të zgjidhet vetëm me një qasje të koordinuar dhe realiste që adreson problemet e gjithë industrisë, konsumatorëve dhe palëve të përfshira. Por, mbi të gjitha i vlen sigurisë publike, shëndetit publik dhe ‘luftës’ kundër duhanpirjes.
Tema e tregtisë së jashtëligjshme u diskutua në konferencën vjetore TECHNOVATION në Zvicër, ku u theksua se ndalimi i produkteve alternative nuk ofron një zgjidhje efektive, pasi u mohon duhanpirësve të rritur aksesin në alternativa më pak të dëmshme, ndërkohë që i jep përparësi tregut të zi.