Ziv: Janë marrë masa për mbështetjen e qytetarëve kosovarë që ndodhen në Izrael - Gazeta Express
string(78) "ziv-jane-marre-masa-per-mbeshtetjen-e-qytetareve-kosovare-qe-ndodhen-ne-izrael"

Lajme

Gazeta Express

20/06/2025 7:31

Ziv: Janë marrë masa për mbështetjen e qytetarëve kosovarë që ndodhen në Izrael

Lajme

Gazeta Express

20/06/2025 7:31

Përshkallëzimi i tensioneve mes Izraelit dhe Iranit ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë globale dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv, shpalosi qëndrimin zyrtar të shtetit të saj në lidhje me situatën aktuale dhe operacionin ushtarak të nisur më 13 qershor.

Ziv deklaroi se operacioni ushtarak “Luani në Ngritje” ka për qëllim “të neutralizojë kërcënimin ekzistencial dhe të menjëhershëm nga programet e armëve bërthamore dhe raketave balistike të Iranit”. Sipas saj, sulmet izraelite synojnë “objektet ushtarake dhe komponentët kritikë të programit të armëve bërthamore të Iranit, si dhe individët kyç të përfshirë në të”.

Ambasadorja akuzoi Iranin se është i përkushtuar ndaj shkatërrimit të Izraelit dhe se po vepron publikisht në këtë drejtim. “Regjimi vazhdimisht dhe publikisht bëri thirrje për shfarosjen e Shtetit të Izraelit”, tha Ziv, duke shtuar se “Irani është vetëm pak çaste larg një arme bërthamore dhe kjo nuk na la zgjidhje tjetër veçse të eliminonim kërcënimin para se të jetë tepër vonë”.

Duke komentuar mbi ndikimin rajonal të kësaj përplasjeje, Ziv tha se një reduktim i kapaciteteve ushtarake të Iranit do të kishte efekt stabilizues në rajon. “Unë besoj se sa më të dobëta të jenë këto entitete ekstreme terroriste, aq më e madhe është mundësia e krijimit të një Lindjeje të Mesme që do të jetë më paqësore dhe e qëndrueshme”.

Ambasadorja përmendi edhe rolin e Iranit në financimin dhe armatosjen e grupeve si Hamasi, Hezbollahu, Huthët dhe milicitë Shiite në Irak, të cilat, sipas saj, “rrethojnë Izraelin me një ‘Unazë Zjarri’ në ndjekje të shkatërrimit të tij”.

Në lidhje me qytetarët kosovarë në Izrael, Ziv konfirmoi se janë marrë masa për mbështetjen e tyre. “Shefja e Misionit të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, znj. Ines Demiri, është në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët kosovarë që ndodhen në Izrael… dhe ata po ndihmojnë të gjithë qytetarët kosovarë që janë të interesuar të largohen nga vendi”, theksoi ajo.

E pyetur për mundësitë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, Ziv tha: “Sa më e dobët të bëhet infrastruktura iraniane e raketave dhe programi i armëve bërthamore, aq më e vogël është mundësia e përshkallëzimit të mëtejshëm”.

Në fund, ambasadorja ishte e qartë për vijimin e qëndrimit të Izraelit: “Izraeli do të vazhdojë të veprojë në Iran derisa programi bërthamor i Iranit të dëmtohet ndjeshëm, si dhe prodhimi dhe aftësitë e lëshimit të raketave balistike të shkatërrohen ndjeshëm”. Ajo përmbylli deklaratën e saj me një mesazh të prerë: “Ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbrojmë sigurinë tonë dhe vetë ekzistencën tonë”. /Telegrafi