Fronti Europian bëri një seri denoncimesh publike për përvjetorin e parë të qeverisë, që sipas tyre kanë zgjedhur rrugën e diskriminimit sistemik dhe përjashtimit etnik. Deputetja Arbana Pasholli, tha se pas shfuqizimit antikushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si dhe të mekanizmit të balancuesit nga Gjykata Kushtetuese institucionet janë liruar nga detyrimi për përfaqësim adekuat.
“Sot e nisëm këtë seri me temën themelore për çdo qytetar, e drejta për punësim në administratën shtetërore dhe publike. E drejtë kushtetuese por në praktikë e kthyer në privilegj monoetnik. Pas shfuqizimit antikushtetues të vlerës kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si dhe të mekanizmit të balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, institucionet shtetërore u liruan nga çdo detyrim për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, shtoi Arbana Pasholli, deputete e Frontit Europian.
Por VLEN thotë se ka sjell revolucion në administratën publike – avancime, punësime dhe drejtësi për kuadrot shqiptare. Theksojnë se në vetëm pak javë janë realizuar dhjetëra avancime dhe punësime në institucione si Qendra Menaxhim me Kriza, EMV – Furnizim me Ngrohje dhe në HEC Treska Shkup. Shtojnë se kanë bërë më shumë punësime për shqiptarët në 10 muaj sesa BDI në 22 vite.
“VLEN po vendos standarde të reja të qeverisjes, ku fjala e dhënë bëhet realitet dhe ku qytetarët ndihen të përfaqësuar me dinjitet. Po rikthejmë besimin në institucione, po krijojmë hapësirë për kuadrot e reja dhe të afta, dhe po garantojmë shërbime cilësore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ky është vetëm fillimi”, shtojnë nga VLEN.
Nga ana tjetër edhe ASH-Taravari ka shprehur shqetësimin për diskriminimin që u bëhet shqiptarëve nëpër institucionet, duke thënë se derisa VLEN lavdërohet me disa punësime që numërohen në gishtat e njërës dorë, publiku është dëshmitar se brenda një viti ka pasur rreth 1.000 punësime maqedonasish, ndërsa numri i shqiptarëve të punësuar mbetet qesharak dhe shqetësues.