Deklarata e Presidentit të SHBA Donald Trump se do t’i kthehet Kosovës dhe Serbisë për t’i ndrequr gjërat që sipas tij i ka bërë keq Administrata Biden, ka nxitur reagime të shumta. Tashmë kanë filluar hipotezat se si Trump do ta trajtonte situatën Kosovë -Serbi – me shkëmbim territoresh, marrëveshje ekonomike apo ndonjë opsion tjetër. Por, ish-diplomati amerikan që është marrë me Kosovën e Serbinë ka dhënë një version tjetër. Sipas tij, Trump do të angazhohej vetëm nëse do të kishte gatishmëri nga Kosova e Serbia.
Jonathan Moore, diplomati i pensionuar amerikan, ka thënë se Trump mund të luajë përsëri një rol pozitiv në dialog por sipas tij, ai do ta bëjë këtë vetëm duan Kosova dhe Serbia. Megjithatë, ai ka shtuar se kriza aktuale gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore lë shumë pak hapësirë për angazhimin e SHBA-së në këtë pjesë të botës.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte prioritete tjera në mandatin e tij të parë, kujton Moore, por për shkak të rëndësisë së dialogut, ai organizoi bisedime në Shtëpinë e Bardhë me qëllim arritjen e një zgjidhjeje.
Moore kujton gjithashtu se, pavarësisht afatit të shkurtër kohor, Trump ishte krenar që administrata e tij mbështeti nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit në shtator 2020.
Duke folur për zhvillimet aktuale dhe njoftimin e fundit të Donald Trump në të cilin, përveç tensioneve midis Iranit dhe Izraelit, ai përmendi edhe Serbinë e Kosovën, Moore thekson se Trump nuk pret një konflikt të ri, por është i vetëdijshëm se situata në Ballkan nuk është e qëndrueshme.
“Ai po ndjek gjithashtu Serbinë dhe vendet e tjera në rajon në kontekste ndërkombëtare. Vizita e fundit e Presidentit Vuçiç në Kiev ishte gjithashtu në fokus. Presidenti Trump është gjithmonë i interesuar për atë që vendet e tjera mund të ofrojnë si zgjidhje për problemet globale. Ai nuk e ka ftuar as Vuçiçin dhe as Kurtin tani, por është e qartë se ai ka në mendje mundësinë për të luajtur përsëri një rol pozitiv”, ka thënë ai për RTS.
Në të njëjtën kohë, shton ai, për shkak të të gjitha sfidave në nivel global, përfshirë luftën në Ukrainë, paqëndrueshmërinë në Gaza dhe krizën në marrëdhëniet me Iranin, çështja e Kosovës nuk është në krye të prioriteteve amerikane.
Duke reflektuar mbi qëndrimin e kahershëm të Uashingtonit për çështjen e Kosovës, Jonathan Moore thekson se politika e SHBA-së është e vazhdueshme – Amerika e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por nuk i kërkon Serbisë të bëjë të njëjtën gjë.
“Ky është një burim tensioni midis Beogradit dhe Uashingtonit. Amerika dëshiron të shohë përparim në dialog dhe si republikanët ashtu edhe demokratët bien dakord për këtë. Por nuk pritet ndonjë ndryshim dramatik në qëndrimin e Beogradit”, shton ai.
Ai thekson se “Serbia është një partnere e qëndrueshme dhe se Uashingtoni vlerëson angazhimin për dialog, por vëren se Beogradi dhe Prishtina do të duhet të marrin vetë përgjegjësinë”.
“Amerika nuk mund të jetë gjithmonë ajo që zgjidh të gjitha problemet e botës. Ata që ulen në parlament dhe zgjidhen në mënyrë demokratike kanë detyrën e ndërtimit të marrëdhënieve më të mira, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik për qytetarët e tyre”, thekson Moore.
I pyetur nëse SHBA-të mund të riemërojnë një të dërguar të posaçëm për dialogun Beograd-Prishtinë, si Richard Grenell gjatë mandatit të Trump, ai përgjigjet se kjo nuk është një çështje kyçe.
“Sigurisht, ka pasur më shumë figura të tilla në të kaluarën. Emërimi i një të dërguari të ri nuk përjashtohet, por nuk është i nevojshëm. Është e rëndësishme që Amerika të jetë e pranishme dhe të mbështesë përparimin në dialog. Ajo që është thelbësore është që situata politike në Prishtinë të stabilizohet”, thotë Moore.
Aty theksohet se që nga zgjedhjet e shkurtit, institucionet e Kosovës kanë qenë në një bllokim politik dhe se aktualisht nuk ka një qeveri me mandat të plotë.
“Nuk është vetëm Kryeministri Kurti problemi, por i gjithë sistemi në të cilin nuk ka vullnet për bashkëpunim. Ka shumë luftëra partiake dhe pak shanse për të krijuar një qeveri të qëndrueshme. Kjo nuk çon në një zgjidhje”, thekson Moore.
Duke folur rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Moore thotë se ai është hap kyç që Kosova duhet ta ndërmarrë.
“Kanë kaluar 12 vjet që nga marrëveshja dhe Asociacioni ende nuk është formuar. Ky është detyrim i Prishtinës. Ky nuk është vetëm qëndrimi i Beogradit, por edhe i Bashkimit Evropian. Të gjitha qeveritë në Prishtinë deri më tani e kanë shmangur këtë detyrim. Presioni tani duhet të jetë mbi ta”, thotë një ish-zyrtar i administratës amerikane.
Ai shton se Beogradi po tregon më shumë përgjegjësi dhe gatishmëri për të vazhduar dialogun.
Duke komentuar mbi mundësinë e angazhimit të drejtpërdrejtë të Donald Trump në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Moore thotë se kjo nuk përjashtohet, por gjithashtu se Ballkani ndoshta nuk do të jetë në fokus të politikës së tij të jashtme.
“Nuk besoj se Trump do ta vendosë Ballkanin në krye të prioriteteve të tij, por nëse lind mundësia, nëse është e nevojshme dhe nëse ka interes nga të dyja palët – ai është gati. E përsëris, udhëheqësit në rajon janë përgjegjës për problemet e tyre. Amerika nuk do t’i udhëheqë proceset e tyre për ta”, thekson Moore.
Ai thekson veçanërisht rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike, tregtisë dhe uljes së tarifave dhe taksave si elementë që mund të çojnë në stabilizim.
“Kjo është një nga gjërat që i pëlqen Trumpit – projekte konkrete ekonomike, rezultate, marrëveshje. Por nuk duhet të presim që Amerika të përfshihet në proces vetëm sepse dikush në rajon e kërkon këtë”, shton ai.
Moore thekson se mund të ketë mundësi të reja për bisedime në Uashington në periudhën e ardhshme.
“Amerika i qëndron qëndrimit të saj, por nuk pret lëvizje radikale nga Serbia. Gjëja më e rëndësishme është që dialogu të vazhdojë dhe që udhëheqësit politikë në Ballkan të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi”, përfundon ish-zyrtari i administratës amerikane, Jonathan Moore.