Qytetarë iranianë flasin për frikën e tyre ndërsa konflikti me Izraelin po përshkallëzohet, me disa familje që largohen nga Teherani dhe të tjerë të vendosur të qëndrojnë.
Disa iranianë e kanë përshkruar jetën e përditshme në dhe rreth kryeqytetit në ditët e fundit për CNN. Të gjithë kërkuan që emrat e tyre të mos publikohen për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
“Të gjithë jemi në shok”, tha Sima, 45 vjeçe. “Disa prej nesh nuk kanë ku të shkojnë. Disa prej nesh janë ende në apartamentet e tyre, thjesht duke pritur të shohin nëse mbijetojnë”.
Sima shtoi se një shok i saj, nga Shirazi në jug-qendër të Iranit, u detyrua të udhëtojë me autostop për tre ditë për të arritur te gjyshërit e tij për shkak të mungesës së karburantit.
Një grua tjetër tha se u detyrua të kërkojë strehim te familjarët e zgjeruar, duke mos pasur ku “të fshihej.”
“Kjo i ka bashkuar disa njerëz dhe të gjithë fëmijët e vegjël së bashku, kështu që ata thjesht po luajnë, duke kaluar kohën më të mirë të jetës së tyre, pa e ditur realitetin”, tha ajo.
Ata që jetojnë jashtë Iranit kanë gjetur veten të shkëputur nga të dashurit e tyre.
“Ajo që duhej të ishte koha më e lumtur e jetës sime është kthyer në një makth”, tha për CNN një grua, e cila duhej të martohej mes kushërinjve të saj në Teheran.
“Tani, e vetmja gjë që mendoj është nëse do të kem mundësi ndonjëherë t’i shohë përsëri kushërinjtë e mi të bukur dhe familjen time të mrekullueshme, njerëzit që i dua. Kur shikoj bisedat tona të vjetra në WhatsApp, ato kanë ndryshuar nga ‘çfarë ngjyre bizhuterie do të vësh?’ në ‘a je gjallë?’”
Të tjerë kanë marrë vendimin të largohen nga vendi.
Një grua tha se familja e burrit të saj udhëtoi 385 milje nga Teherani në qytetin Shiraz të hënën para se ta kalonte kufirin me taksi për t’u bashkuar me familjen në Turqi. “Udhëtimi tetë-orësh u bë pothuajse dyfish, rreth 15 orë, për shkak të trafikut”, tha ajo.
Elnaz është nga ata banorë të Teheranit që kanë vendosur të qëndrojnë.
“Nuk e kam lënë Teheranin sepse besoj se largimi, braktisja e qytetit tënd, është e gabuar”, tha ajo. “Nuk ka vend si Teherani. Edhe pse qeveria ka bërë shumë pak për të na mbrojtur gjatë 46 viteve të fundit, ne nuk kemi asgjë që na mbron, largimi është i gabuar”.