Vartësit e tij iu përgjigjën pozitivisht ftesës, por vetë ai jo. Faton Peci e Besnik Bislimi dhanë dëshmitë e tyre në Prokurorinë Speciale, por kryeministri në detyrë Albin Kurti ende nuk është paraqitur për intervistim në një rast tjetër. Për mosparaqitje, ai është gjobitur dy herë me nga 250 euro nga Gjykata.
Gazeta Express
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ende nuk ka shkuar në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë në rastin e rezervave shtetërore.
Atje tashmë janë intervistuar, ndonëse për rast tjetër, ministri Faton Peci e zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi.
Kurti ka një kusht për të dhënë intervistë – që prokurorët specialë t’i shkojnë në zyrë atij.
Për mosparaqitje në Prokurorinë Speciale Kurti është gjobitur dy herë me nga 250 euro, ndonëse kjo nuk është konfirmuar akoma zyrtarisht.
Ehat Miftaraj nga IKD në një bisedë me Gazetën Express kishte thënë se nëse Kurti vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi të gjobitet, mund të burgoset.
“Në bazë të ligjit kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet. Nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet. Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset”, tha ai.
Ndërsa, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, në një përgjigje për Gazetën Express, kishte sqaruar se cilat janë tri alternativat për ta urdhëruar Kurtin të dëshmojë- ta detyrojë me forcë, ta gjykojë me gjobë dhe ta paraburgosë.
“Me kërkesë të prokurorit, Gjykata i ka këto mundësi, i ka tri alternativa: ta detyrojë me forcë të paraqitet, ta gjykojë me gjobë ose eventualisht nëse paraqitet në gjykatë por hesht, atëherë gjykata e ka mundësinë e tretë – caktimin e paraburgimit derisa ai të bindet të flasë, por jo më tepër se 1 muaj ditë”, është shprehur Hasani.
Express ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kuptuar nëse do të ndërmarrin ndonjë hap tjetër, por deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Rasti i rezervave shtetërore
Në vitin 2023 ishin arrestuar tre persona në rastin e rezervave shtetërore, në mesin e të cilëve ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.
Sipas raportimeve një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Qeveria ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin.
Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
Në prill të vitit 2024, ministrja Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore. Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo vendosi të mbrohet në heshtje. /GazetaExpress/