Ambsadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, ka takuar sot kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, takim në të cilin ata kanë pasur një ‘‘shkëmbim të frytshëm mbi zhvillimet e fundit’’, shkruan Gazeta Express.
Në njoftimin e ambasadës italiane njoftohet edhe se ambasadori Antonini dhe kryetari Rexhepi kanë theksuar bashkëpunimin e ‘‘shkëlqyer me Italinë’’, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të ekspertizës juridike dhe praktikës kushtetuese.
‘‘Ambasadori Antonini u takua me z. Nexhmi Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për një shkëmbim të frytshëm mbi zhvillimet e fundit. Ata theksuan gjithashtu bashkëpunimin e shkëlqyer me Italinë, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të ekspertizës juridike dhe praktikës kushtetuese’’, thuhet në postim.
Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit të Kosovës.
Për këtë çështje, para disa javësh, Gazeta Express ka dërguar pyetje, për të cilën Kushtetuesja ka thënë se është ende në shqyrtim.
‘‘Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni’’, është thënë nga Kushtetuesja.
Vendimi lidhur me çështjen në fjalë, nga Kushtetuesja ende s’është marr. /GazetaExpress