Aleanca për Shqiptarët (ASH) akuzon VLEN-in dhe partnerët e saj në Qeveri për diskriminim të hapur ndaj shqiptarëve në punësimet shtetërore dhe përfaqësimin institucional.
Sipas ASH-së, derisa VLEN mundohet ta shesë si sukses një numër të vogël punësimesh shqiptare, në realitet ka ndodhur një “deshqiptarizim” i administratës, i dëshmuar me të dhëna konkrete: nga 205 punësime dhe avancime të fundit në institucione kyçe, vetëm dy janë shqiptarë.
Ata e quajnë këtë disproporcion alarmues dhe kërkojnë që të ndalet manipulimi publik me shifra boshe, ndërkohë që partnerët maqedonas të VLEN-it marrin vendime të njëanshme, ndalojnë përdorimin e gjuhës shqipe dhe shpërndajnë fonde në mënyrë diskriminuese. ASH thekson se kjo qeveri nuk ka arritur as të miratojë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ndonëse sipas tyre ishte lënë i gatshëm, dhe u bën thirrje shqiptarëve të reagojnë kundër këtij trajtimi me mjete demokratike.
Reagimi i plotë i ASH-së:
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin serioz për diskriminimin që u bëhet shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore. Derisa VLEN lavdërohet me disa punësime që numërohen në gishtat e njërës dorë, publiku është dëshmitar se brenda një viti ka pasur rreth 1.000 punësime maqedonasish, ndërsa numri i shqiptarëve të punësuar mbetet qesharak dhe shqetësues – madje edhe në institucione që drejtohen nga eksponentë të VLEN-it.
A është kjo mënyra se si VLEN dëshiron ta shesë dështimin si arritje, kur mbarë popullata shqiptare e thotë fuqishëm se më keq se sot, kurrë nuk kanë qenë?
E rikujtojmë VLEN-in se deshqiptarizimi i administratës dëshmohet me fakte: nga 205 punësimet e fundit, vetëm dy ishin shqiptarë.
Sipas të dhënave publike dhe lehtësisht të verifikueshme, nga gjithsej 205 punësime dhe avancime të fundit në institucione si Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Kulturës, Dogana, REK Manastir dhe të tjera, vetëm 2 shqiptarë janë punësuar apo avancuar, në krahasim me 203 maqedonas. Ky disproporcion është tregues i qartë i një politike të drejtuar për të zbehur përfaqësimin shqiptar në administratë.
Nga ana tjetër, afrimi i zgjedhjeve lokale gjithnjë e më shumë nxjerr në sipërfaqe dështimet e VLEN-it ndaj partnerëve maqedonas në qeveri. Kjo falë faktit se publikisht, Stoilkoviq ua ndalon të flasin shqip, si dhe me ndarjen e mjeteve për qindra projekte nga ministria që ai drejton për maqedonasit, serbët dhe romët, ndërsa shqiptarëve u pranohen vetëm tre projekte – edhe ato persona të afërt me Arben Fetain. Po ashtu, Angellov këto ditë, në një paraqitje publike, pohoi me zë dhe figurë se pas zgjedhjeve lokale do ta miratojnë Ligjin për “Branitellat” pa e pyetur fare VLEN-in.
Në vend të rikthimit të besimit te institucionet për shqiptarët, kjo qeveri ku bën pjesë VLEN – dhe të cilën Aleanca për Shqiptarët e braktisi për shkak të margjinalizimit të shqiptarëve – nuk ka kapacitet as të miratojë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të cilin ne ua lamë të gatshëm.
ASH kërkon transparencë, përfaqësim real dhe barazi të plotë në çdo institucion shtetëror, dhe u bën thirrje shqiptarëve të mos e pranojnë heshtjen si normalitet, por të reagojnë me mjete demokratike kundër këtij procesi antishqiptar dhe antievropian.