Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite mund të ndërmarrin veprime të përbashkëta për të stabilizuar tregjet e naftës nëse lind nevoja, ka njoftuar përfaqësuesi i investimeve të Rusisë, Kirill Dmitriev.
Dihet se pas sulmit izraelit ndaj Iranit, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, ndërsa tregjet po përballen me frikën e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme që mund të ndikojë furnizimet globale me naftë.
Në lidhje me këtë, Dmitriev, drejtues i fondit sovran të investimeve të Rusisë, ka folur për Reuters, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë nuk do të ishte i pamundur, transmeton Express.
“Ka pasur një rast kur presidenti Putin, presidenti Trump dhe princi i kurorës Mohammed bin Salman luajtën një rol kyç në stabilizimin e tregjeve,” është shprehur ai në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg.
Kujtojmë se në vitin 2020, kur çmimet e naftës lëvizën në mënyrë drastike për shkak të pandemisë së COVID-19, presidenti Trump ndërmjetësoi një marrëveshje me prodhuesit kryesorë të naftës – Rusinë dhe Arabinë Saudite – për të qetësuar tregjet.
“Ngjarjet në Lindjen e Mesme po krijojnë kushte për rritje të çmimeve të naftës. Dinamika e këtyre zhvillimeve do të përcaktojë se sa dramatike do të jetë kjo rritje. Është ende herët për të folur për veprime konkrete të përbashkëta, por në bazë të përvojës së mëparshme, një veprim i tillë është i mundur,” ka shtuar tutje Dmitriev.
Ndër të tjera, Dmitriev ka thënë se, “dinamika e rritjes së çmimeve redukton ndjeshëm mundësinë e vendosjes së kufizimeve të mëtejshme ndaj sektorit energjetik rus,” duke iu referuar diskutimeve të Bashkimit Evropian për sanksione shtesë ndaj Moskës.