Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë thirrje që mos të ndizen zjarret.
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë stinës së verës, e cila karakterizohet me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre.”
AME thotë se zjarret shkaktojnë dëme të mëdha.
“Zjarret në pyje, fusha dhe hapësira të hapura shkaktojnë dëme të mëdha materiale, ndotin ajrin, shkatërrojnë natyrën dhe rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.”
AME shton se zjarrvëniet e qëllimshme dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepra penale të cilat sanksionohen me ligj.
“Çdo person që shkakton zjarr, duke dëmtuar pronën publike apo private, ose duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe mjedisin, përballet me ndjekje penale dhe masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.”
AME ka publikuar edhe numrat ku mund të thërrasin qytetarët kur të hasin në ndonjë zjarr.
“📢 Në rast se:
• Hasni ndonjë zjarr
• Dyshoni për zjarrvënie të qëllimshme
• Vëreni tym apo flakë në zona të hapura,
Mos hezitoni të lajmëroni shërbimet emergjente falas në çdo kohë (24/7):
📞 Qendrat Operative Emergjente të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent – 112
🚒 Shërbimi Zjarrfikës – 193
👮♂️ Policia e Kosovës – 192”