Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është deklaruar pas dështimit të seancës për konstitumin e Kuvendit, duke thënë se Lëvizjes Vetëvendosje, duhet ta menaxhojë detyrën e vetë dhe t’i japë mundësi konstituimit të Kuvendit, shkruan Gazeta Express.
Ai ka thënë se kjo duhet të bëhet përmes një marrëveshje eventuale që arrihet.
‘‘Konfirmoj edhe njëherë që çështjet politike dhe zgjedhjet e organeve deri në konstituim nuk mund të zgjidhen me procedura por duhet zgjidhen me marrëveshje politike. Por ne edhe sot kërkojmë që partia e parë të menaxhojë detyrën e vetë, që ka dalë nga shkurti, e ajo është që ti japë mundësi që kuvendi të konstituohet, sipas një marrëveshje eventuale që arrihet, dhe të hyjë në fazën e ndërtimit dhe legjitimit të kuvendit’’, ka thënë ai.
Tutje, në deklarimin e tij para mediave, ai ka thënë edhe se, ministrat e qeverisë në detyrë më shumë po kalojnë në zyrat e prokurorisë se sa në zyrat e qeverisë.
Po ashtu ai ka thënë edhe se kjo gjë mund të ndikojë në arritjen e një marrëveshje politike eventuale.
‘‘E dyta, duhet ta kuptojmë që dy binarët sikur në rastin e parë edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe deputet edhe ministër nuk mund të funksionon qeveria në detyrë. Sepse po e shihni ditëve të fundit që ma shumë kalojnë kabineti qeveritar në zyrat e prokurorisë sesa në zyrat e qeverisë. Edhe ajo kohë që ju mbetet pas intervistemeve për gjetjet dhe dyshimet e bazuara që prokuroria i kanë, ata po vazhdojnë me bë vendime kundër kushtetuetës. Kjo nënkupton që duhet të largohet konflikti i interesit. Edhe kjo e ngarkon edhe mund të ndikojë në arritjen e një marrëveshje politike eventuale’’, ka deklaruar ai. /GazetaExpress