Një 43-vjeçar malazez me rrezikshmëri shoqërore është arrestuar në Spanjë i shpallur në kërkim nga autoritetet në Podgoricë për pjesëmarrje në grup kriminal.
Kapja e tij u bë e mundur falë informacionit të siguruar nga FAST Albania dhe shkëmbimit të tij në kohë reale me homologët në Mal të Zi e Spanjë.
Ndaj 43-vjeçarit, gjykata e Podgoricës kishte caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ në prill 2025 për përfshirje në veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
“FAST Albania kontribuon në një tjetër operacion të rëndësishëm ndërkombëtar, të koordinuar nga rrjeti ENFAST
Falë informacionit të siguruar nga FAST Albania dhe shkëmbimit të tij në kohë reale me homologët, u bë e mundur kapja nga Policia spanjolle e një shtetasi malazez me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Shtetasi D. F., 43 vjeç, i kërkuar nga autoritetet malazeze për pjesëmarrje në një organizatë kriminale me veprimtari në fushën e narkotikëve, u arrestua në Spanjë nga autoritetet policore të këtij vendi.
Kapja e tij u bë e mundur si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes FAST Albania, FAST Spain dhe FAST Montenegro, nëpërmjet rrjetit të bashkëpunimit europian ENFAST.
Gjykata e Podgoricës i kishte caktuar shtetasit D. F. masën e sigurisë “Arrest në burg”, në muajin prill 2025, për dyshime të forta për përfshirje në veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.”, njofton policia.