Iva Petroviq, studente dhe pjesëmarrëse në protestën paqësore të 15 marsit në Beograd, rrëfen përjetimin e saj traumatizues pas një zhurme të fuqishme që shkaktoi panik masiv. Ajo përshkruan momentin kur njerëzit filluan të bërtisnin, të përplaseshin dhe të binin njëri mbi tjetrin. Mes tyre, ajo mbeti e shtypur nga trupi i babait të saj dhe pa ndjenja. Në spital takoi shumë të lënduar – me probleme në veshë, shtyllë kurrizore e rrahje zemre. Rrëfimi i saj është apel për drejtësi dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ajo në emër të studentëve, ka dalë me kërkesë dhe rrëfim se cka ndodhi ditën kur në Serbi u vendos të përdoret topi zanor kundër studentëve protestues.
Kërkesë e studentëve:
Kërkojmë zhvillimin e një hetimi të detajuar nga organet kompetente për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë në lidhje me ngjarjen që shkaktoi frikë dhe panik më 15 mars 2025, në orën 19:11 në rrugën “Kralja Milana”, gjatë protestës paqësore dhe 15 minutave të heshtjes për të nderuar viktimat e rënies së strehëzës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga protesta më masive në historinë e Serbisë, por publiku ende nuk ka marrë asnjë shpjegim zyrtar për zhurmën misterioze që prishi heshtjen dhe shkaktoi kaos në mesin e qytetarëve.
“Ulur në trotuar, e pafuqishme. Trupat binin një mbi tjetrin”
“Kam njëzet vjet. Më 15 mars, besoja se po ecja drejt diçkaje më të mirë. Pesë ditë më parë, me një grup të rinjsh, nisa rrugën nga Loznica – 145 kilometra shprese, këmbënguljeje dhe besimi se e vërteta ia vlen çdo hap. I lodhur, por krenar, Beogradi na priti atë mbrëmje. Dhe ne qëndruam në heshtje. Dymbëdhjetë minuta heshtjeje.
Pastaj – një zë. I padëgjueshëm, por tmerrues. Si të më ishte këputur diçka brenda meje. Si të kishte dridhur toka. Si të ishin hapur portat e ferrit. Njerëzit bërtisnin, vraponin, përplaseshin, binin. Sekondat u bënë të pafundme.
Isha ulur në trotuar. Nuk munda të ngrihesha. Trupat binin një mbi tjetrin. Së pari humba frymën, pastaj tokën, pastaj orientimin. E ndjeva peshën. Diçka e madhe, e ngrohtë, e rëndë – trupi i babait tim, siç mësova më vonë. Nuk mund të merrja frymë. Po mbytesha. Sytë i kisha hapur, por gjithçka ishte errësirë. Mendova – këtu përfundon gjithçka.”
“Nuk kishte urgjencë. Vetëm panik dhe lot”
“Në spitalin e Zemunit takova njerëz me dëmtime – të veshëve, të shtyllës kurrizore, tension të lartë, të fikët. Të gjitha për shkak të asaj zhurme. Atyre sekondave. Atyre dymbëdhjetë minutave.
Dikush më ngriti. Nuk e dija kush. Trupi më ishte i lehtë, duart më vareshin, këmbët nuk më dëgjonin. Qëndroja në këmbë vetëm sepse më mbanin. Këmbët më dridheshin, shikimi më endej, zemra më rrihte fort. Nuk mund të flisja. Vetëm qaja. Heshtur, pa zë. Si të mos isha më aty.
Njerëzit kërkonin të afërmit e tyre. Në sy – frikë. Në zë – dëshpërim. U shfaq nëna. Ishte aty, por unë nuk isha më vetja. Lutesha të shkonim në shtëpi. I lutesha me lot. Trupi më dridhej. Paniku kishte pushtuar gjithçka.”
“Shpëtova, por nuk jam më e njëjta”
“Nisëm të ecnim nëpër rrugën ‘Balkanska’, drejt urës së Brankos. Mundoheshim të kalonim përmes turmës. Njerëzit na hapnin rrugë. Jam mirënjohëse. Megjithatë, humba ndjenjat tri herë. Më sillnin në vete çdo herë, por gjithnjë me më pak forcë. Më ulën në një stol në stacionin e autobusëve. Më hidhin ujë, më ngrinin këmbët, më vendosnin alkool nën hundë. Por unë – isha bosh.
Nuk kishte asnjë ambulancë.
Na kujtua fakulteti im. Një vend që e dua. Strehimi im. Me vështirësi arritëm. Atje vetëm qaja. Pa zë.
Që nga ajo natë, tingujt më thyejnë. Turmat më mbytin. Dritat më copëtojnë mendimet. Ende e jetoj atë natë. Ende më zgjon nga gjumi.
Nuk e di çfarë ishte – top, sirenë, shpërthim. Di vetëm se dikush e shkaktoi. Dhe njerëzit u lënduan.
Unë mbijetova. Por një pjesë e imja mbeti atje. Në atë trotuar. Në atë heshtje që e shkatërroi paniku.
E tregoj këtë histori që të dëgjoni. Të mos harroni. Të dini çfarë ndodhi. Sepse, ndërsa merrja frymë mes lotëve, e dija – po jetoj. Dhe duhet të flas.
Për ata që nuk arritën të marrin frymë.” /Radar