256 mijë makina me taksa të papaguara - Gazeta Express
string(37) "256-mije-makina-me-taksa-te-papaguara"

Shqiperi

Gazeta Express

18/06/2025 21:40

256 mijë makina me taksa të papaguara

Shqiperi

Gazeta Express

18/06/2025 21:40

Një në katër makina në Shqipëri rezulton me detyrime të papaguara ndaj shtetit, duke qenë praktikisht jashtë kontrollit teknik dhe rrezik për qarkullimin.

Sipas të dhënave më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), 256,741 mjete rezultojnë debitore, nga një flotë aktive prej afro 950 mijë makinash. Tirana mban rekordin me 39% të borxhlinjve, pasuar nga Durrësi me 14%, Fieri me 8% dhe Shkodra me 7%.

Nga kjo shifër:

215 mijë mjete janë në pronësi të qytetarëve

Pjesa tjetër i përket bizneseve

7,700 janë makina luksoze, ose 3% e totalit

Borxhe që datojnë prej vitit 2012

Zëvendësdrejtori i DPSHTRR-së, Endri Haxhiu, thotë se rreth 103 mijë mjete nuk kanë paguar taksat që prej vitit 2012, ndërsa 44% e borxhit i përket vitit 2024 dhe gjysmës së parë të 2025-ës. Totali i detyrimeve arrin në 170 milionë dollarë, ku 84% i përkasin individëve privatë dhe pjesa tjetër bizneseve.

Ndalohen shërbimet për mjetet debitore

DPSHTRR ka ndërmarrë masa të qarta: asnjë shërbim nuk do ofrohet për automjetet me borxhe, përfshirë:

Kontrollin teknik

Ndryshimin e pronësisë

Xhamat e errësuar

Çdo lloj tjetër shërbimi në drejtoritë rajonale

“Borxhi nuk do të fshihet. Çdo automjet që rezulton debitor nuk do të marrë asnjë shërbim nga strukturat tona,” theksoi Haxhiu.

Sipas DPSHTRR, një pjesë e këtyre automjeteve mund të jenë braktisur, shitur për pjesë, ose qarkullojnë në mënyrë të paligjshme, pa pasur kontroll teknik, duke rrezikuar sigurinë rrugore.