Mashtronin europianët përmes Call Center-it, GJKKO dënon me 23 vite burg dy organizatorët - Gazeta Express
string(88) "mashtronin-europianet-permes-call-center-it-gjkko-denon-me-23-vite-burg-dy-organizatoret"

Shqiperi

Gazeta Express

18/06/2025 14:40

Mashtronin europianët përmes Call Center-it, GJKKO dënon me 23 vite burg dy organizatorët

Shqiperi

Gazeta Express

18/06/2025 14:40

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me një total prej 23 vitesh burg për mashtrimin e qindra qytetarëve europianë përmes një skeme kriminale me Call Center, ku dëmi i shkaktuar arrin mbi 15 milionë euro.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dënoi me 12 vite burg Jusel Micin dhe me 11 vite Mendim Domin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ata do të vuajnë përkatësisht 8 dhe 7 vite e 4 muaj burg në një institucion të sigurisë së lartë.

Të dy u shpallën fajtorë për mashtrim kompjuterik, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.

Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e 14 pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare në pronësi të tyre apo të familjarëve, përfshirë tre apartamente, rreth 26 mijë m² tokë bujqësore, dhe 3 llogari bankare të Domit me vlerë rreth 200 mijë euro. Po ashtu, u konfiskuan edhe sendet e sekuestruara në kompaninë “Telex” shpk, e përdorur për mashtrimin.

Hetimet e SPAK zbuluan se grupi kriminal, me bazë në Tiranë, vepronte që prej vitit 2021, duke mashtruar qytetarë italianë, spanjollë dhe gjermanë, të cilët bindeshin të investonin në platforma të rreme financiare. Operacioni u finalizua në dhjetor 2022, pas kërkesës së autoriteteve italiane dhe në bashkëpunim me EUROJUST.

Paralelisht, SPAK ka hapur edhe një hetim pasuror, duke sekuestruar vila, biznese, makina luksoze dhe pasuri të tjera të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.