Sa thuhet për shaka, aq thuhet edhe se është e vertetë. Drita gjithmonë i tërheq kundërshtarët më të vështirë në shortet e hedhura në garat europiane.
Duke nisur nga Malmo më 2018, Legia më 2020 e 2024, Feyenoord më 2021 e Viktoria Plzen më 2023. Kundërshtarë shumë më të fortë, në krahasim me fuqinë e klubit bardhekaltër nga Gjilani. Por, asnjëherë nuk është treguar inferiore, dhe me paraqitjet e saj ka bërë krenar çdo futbolldashës nga Kosova.
Mirëpo, kësaj here, më në fund, fati i buzëqeshi Dritës, shkruan “Gazeta Express”.
Në shortin e hedhur sot në Nyon të Zvicrës, kampionia e Kosovës u shortua me Differdange në fazën e parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve.
Drita ishte në vazon bartëse gjatë shortit të sotëm, andaj iu mundësua që në këtë fazë të luajë ndaj një kundërshtari më të lehtë, të paktën në letër.
Differdange vjen nga Luksemburgu, aty ku ishte shpallur kampione, me 78 pikë pas 30 ndeshjeve.
VLERA E EKIPEVE
Ky ekip, sipas “Transfermarkt” ka vlerën totale prej 1.20 milionë euro. Ndërkohë, Drita ka vlerë totale prej 6.45 milionë euro.
Albert Dabiqaj, Rron Broja dhe Egzon Bejtulai së bashku kanë vlerë më të madhe, se tërë ekipi i Differdange.
TROFETË
Differdange u shpallë kampione e Luksemburgut për herë të dytë radhazi, teksa këto dy herat janë të vetmet që ky ekip ka fituar titull kampioni.
Më e suksesshme është në Kupën e Luksemburgut, duke triumfuar gjashtë herë në këtë garë, me herën e fundit që qe po këtë vit.
LOJTARËT
Lojtari më i vlefshëm në skuadrën e Differdange është Guillaume Trani, vlera e të cilit në treg shkon deri në 250 mijë euro. Mirëpo, ai nuk do të jetë fare aty për përballjen me Dritën, pasi nga 1 korriku do të jetë pjesë e Red Starit që luan në Ligue 2 të Francës.
Trani ishte lojtari më i rëndësishëm i skuadrës në triumfin në dy kompeticionet vendase, duke shënuar 14 gola e duke dhuruar gjashtë asistime.
I dyti sa i përket golave të shënuar (11), Jorginho, i cili kishte më së shumti asistime për skuadrën (10), qe larguar nga Differdange gjatë merkatos së dimrit në drejtim të Kairatit nga Kazakistani.
STADIUMI
Differdange luan në stadiumin e saj, të quajtur “Stade Municipal de la Ville de Differdange”, i cili ka një kapacitet prej 2 mijë ulësesh.
DIFFERDANGE NË EUROPË
Klubi nga Luksemburgu ka luajtur në Europë me dy emra të ndryshëm.
Si Red Boys Differdange, klubi është paraqitur në 20 ndeshje, nga të cilat ka marrë vetëm një fitore, një barazim dhe është mposhtur 18 herë.
Ndërkohë, me emrin aktual, Differdange, klubi ka 31 ndeshje në Europë, duke arritur 10 fitore, katër barazime e 17 humbje.
Suksesi më i madh i Differdange në Europë është faza e tretë kualifikuese e Ligës së Europës në sezonin 2013/14.
DATAT E NDESHJEVE
Ndeshja e parë mes Dritës dhe Differdange do të luhet në “Fadil Vokrri” më 8 korrik, teksa ajo e kthimit në Luksemburg më 15 korrik. Dy ndeshjet do të nisin nga ora 19:00./GazetaExpress/
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...