Një vatër zjarri u shfaq dhe u bë mjaft aktive mesditën e sotme pranë godinave të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) në Elbasan.
Zjarri u përhap në një zonë të afërt me linjat e tensionit të lartë 110 kV, 150 kV, 220 kV dhe 400 kV, si dhe me nënstacionet përkatëse, që përfshijnë pajisje dhe sisteme të rëndësishme për transmetimin e energjisë elektrike në vend.
Rrethanat e shpërthimit të zjarrit nuk janë ende të qarta, por sipas informacioneve paraprake, dyshohet se një qark i shkurtër në rrjet mund të ketë qenë shkaku i mundshëm.
Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse me mjete të posaçme, flakët u izoluan dhe u shuan në kohë rekord, duke shmangur çdo dëm në nënstacione, linjat e transmetimit dhe njerëzit.
Autoritetet po hetojnë më tej për të zbuluar shkaqet e sakta të incidentit dhe për të vlerësuar masat parandaluese që nevojiten në të ardhmen.