Më 15 dhe 16 qershor në Qendrën “Barabar” u dha premierë shfaqja “Hotel Grand”, shkruar dhe realizuar nga Armend Smajli dhe Rebeka Qena, frymëzuar na drama “After the End” e Dennis Kelly-t.
Nëse flasim për shfaqjen përgjithësisht mund ta interpretojmë në shumë forma, në shumë shije dhe në këndvështrime e kritika të ndryshme, por nëse flasim për aktin e parë të shfaqjes, shumica do të duhej të pajtoheshin që kjo pjesë është finesë e pastër teatrore, kult në art.
Mes rrëfimit, ambientit dhe protagonisteve
Ideja e 25 ulëseve dhe një qoshku të një prej hapësirave të Qendrës “Barabar” në katin e katërt të Hotelit Grand, i dhanë emocionin e nevojshëm historisë së dramës. Përderisa në hapje ne vetvetiu kemi një ndjesi të një mbylljeje të dy personave, pa pasur nevojën të ngashërehemi pas idesë së arsyes, e bën aktin e parë tërheqës, të denjë, kreativ e të dashur për audiencën. Loja e Armend Smajlit e Rebeka Qenes do të variojë në situata dhe të dy aktorët do ta kenë mundësinë të kapin momentet e tyre gjatë zhvillimit të ngjarjes. Por para se të kalohet aty një shikim brenda narratives është i domosdoshëm.
I gjithë ambienti i destinuar për të paraqitur anën emocionale (e cila prek pjesën më të madhe në dramë), fizike, psikike e morale të dy personave i takon një përafrimi real të asaj çka të tjerët kanë përjetuar, e kanë njohur dhe në fund e kanë rrëfyer.
Ani pse të mbyllur ndaj njëri-tjetrit, në një ambient të përbashkët, një mungesë e kujtesës së të dyve krijon konfuzion të herë pas hershme, një mungesë kujtese që dinë të lexohet në shumë mënyra, e më e përafërta nga to, mungesa e kujtesës kolektive të shoqërisë kosovare.
Bunkeri i shfaqjes, ngjarja e shoqërisë
Në ndërkohë ngjarja po zhvillohet në para fillimin zyrtar të luftës në Kosovë, në vitin 1997, në Prishtinë, në Grandin e asaj kohe e me dy të rinj të asaj kohe. Njeri nga protagonistët përkon me tepër me arsyen (Armend Smajli) ani pse nganjëherë di të rrëshqasë deri në histeri (lufta zakonisht krijon kushte për humbje të logjikës), përderisa personazhi tjetër (Rebeka Qena) përfaqëson emocionin, kaotiken, paqartësinë dhe konfuzionin.
Në thirrjet e vazhdueshme të pyetjes më të shpeshtë si kemi përfunduar këtu, kush më solli këtu, si arritëm deri në këtë vend, krijohet një ambient që i krijon hapësirë shpërthimeve emocionale, që nxjerrin në pah frikën, zhgënjimin, turbullirën, dashurinë e pasigurinë.
Prandaj në gjithë dialogun qartësohet gjeneza e personazheve, të dy njohin njëri-tjetrin nga e kaluara, qoftë si miq ose si të dashur, një ambient i mbyllur në kohë lufte determinon njohjen tyre reale e cila qartëson atë çka në fakt i determinon ata si karaktere dhe nga ngjarja kolektive kalojmë në thellësitë e ngjarjeve individuale.
Si e fshehim pasigurinë?
Krejt çka e bën shfaqjen të afërt, reale dhe të ndjeshme është gjuha autentike, lëvizjet origjinale, bashkëpunimi ne veprimet e të dy personazheve. Frika që ata e paraqesin përmes agresivitetit dhe gjuhës së trupit neve që nuk e kemi ndjesinë e mbylljes nga lufta, nga frika, nga e panjohura na ve në siklet e ata që e kanë përjetuar i shtyn në ri kujtim dhe bashkërrëfim të heshtur.
Prandaj është e rëndësishme paraqitja e emocionit dhe veprimit në teatër, në shfaqje. Ne i hetojmë momentet që nuk fliten, edhe më shumë së sa kur personazhet zhvillojnë dialog.
Pika kyçe nga fillimi e gjatë gjithë dramës është konflikti, në parim konflikti për një lojë që pothuajse asnjëherë nuk zhvillohet me pajtimin e të dyve, e në thelb konflikti për të panjohurën, për mungesën e njohjes reale, për një faj që nuk ka burim të njohur por që shkakton frikë e pasiguri të dukshme.
E dëgjuar, por e veçantë
Loja, akti, drama e krejt çka e përcjellin në këtë shfaqje ka brumë emocionin e fortë që aktorët e përçojnë vazhdimisht, e ndiejnë dhe e ngulitin tek publiku. Eksperimentimi me ambientin (në kuptimin që në këtë rast e përcjellim shfaqjen në një hapësirë alternative) tregon për një pune gjatë të menduar nga krijuesit e dramës. Detajet e mbushin atë që edhe nëse rastësisht i shpëton shfaqjes në parim nuk e le të zbehet, përkundrazi e fuqizon dhe harmonizon emocionin ndërmjet ‘dhënësit’ e ‘marrësit’.
Ajo që ne dimë e duam ta lexojmë mes rreshtave di të prekë edhe anën shoqërore, politike të ngjarjeve ndër vite në vendin tonë. Çka na ndihmon ta arrijmë një të tillë përfundim, janë videot interferuese në shfaqje, që janë krijuar e menduar në detaje, vërehet gjatë interpretimit të tyre.
Fundi i shfaqjes nxjerr në pah jo shumë të papritura. Ajo që ka rëndësi në narrativen e dramës janë ngjarjet që trajtohen nga fillimi e mbi të cilat reflektohet pa pasur nevojë të veprohet, veç të parashtrohen si të tilla. E gjithë ajo që nxirret në teatër a në shfaqje ka rëndësinë e reflektimit të individit mbi situatën e fenomenin.
Armend Smjali nga shpërthimet më emocionale e deri tek aktet më të thjeshta i qëndron besnik punës së tij, vazhdon t’i qëndrojë besnik punës së tij.
Burimi i rrëfimit të ngjarjes në këtë dramë mund të jetë i dëgjuar, ama mënyra së si luhet ngjarja është krejt e veçantë. Si përfundim do të luhet loja e njëjtë, rregullat që ndjek secili për vete, janë pasojat që do të bartë secili për vete.
Armend Smajli për shfaqjen:
“Se bashku me Rebeken vendosem të bëjmë një eksperiment në kuptimin artistik edhe me veten edhe me një kohë të caktuar. Filluam ta shkruajmë dhe ideuam këtë dramë, dhe deri tash mund të them që i kemi bërë diku rreth 25 versione, derisa erdhëm përfundimisht në një pikë. Shfaqja ka më shumë pyetje se përgjigje. Kemi refuzuar të japim shumë përgjigje për shkak se kemi dashur më shumë të merremi me një lloj “demence” shoqërore, për shkak se kur ka ndodhur lufta, nuk kemi pasur shumë kohë për tu marrë me gjëra që kanë ndodhur shumë kohë para luftës. Kemi menduar të trajtojmë personazhe që nuk kanë përfaqësuar asnjë mendim ideologjik të kohës. Ne i dimë grupacionet shoqërore, sociale, politike që e kanë përfaqësuar një qëndrim pro apo kundër. Kemi besuar që ka pasur njerëz që kanë qenë diku me ndonjë lagje duke qenë mospajtues ose refuzues ndaj gjithçkaje që ka ndodhur. Mandej është krijuar edhe një lloj absurdi në rrafshin artistik i kemi dhënë kuptim imagjinar, absurd”.
Luajnë: Armend Smajli dhe Rebeka Qena
Teksti dhe regjia: Armend Smajli dhe Rebeka Qena
Maskat: Doruntina Ukimeri
Video realizues: Nol Gashi
Teknik i videos dhe tonit: Alper Zilgir
Dizajn i dritave: Skender Latifi
Posteri: Rron Imami
Frymëzuar nga drama “After the End” nga Dennis Kelly.
/Gazeta Express
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...