Për herë të dytë dështon të nisë gjykimi ndaj të akuzuarve për mashtrim të qytetarëve nga pesë shtete për mbi 1 milion euro - Gazeta Express
string(123) "per-here-te-dyte-deshton-te-nise-gjykimi-ndaj-te-akuzuarve-per-mashtrim-te-qytetareve-nga-pese-shtete-per-mbi-1-milion-euro"

Lajme

Gazeta Express

17/06/2025 11:32

Për herë të dytë dështon të nisë gjykimi ndaj të akuzuarve për mashtrim të qytetarëve nga pesë shtete për mbi 1 milion euro

Lajme

Gazeta Express

17/06/2025 11:32

Për shkak se mbrojtja e të akuzuarit Altin Gashi nuk ka pranuar shkresat e lëndës, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj tij dhe dhjetë të akuzuarve tjerë për mashtrim të qytetarëve nga Gjermania, Kanadaja, Zvicra, Australia dhe Suedia, duke përfituar shuma që i tejkalojnë 1.7 milion euro përmes një skeme të sofistikuar mashtruese me qendër në një call-center në Prishtinë.

Të akuzuar në këtë rast janë Omer Tene, Altin Gashi, Bindi Balidemaj, Ilir Kadishani, Dibran Morina, Flaura Behluli, Altina Rashiti, Lauresa Hoxha, Artan Ademaj, Kujtim Islamaj dhe Vildane Kosumi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësja e të akuzuarit Gashi, avokatja Erina Berisha në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se më 10 qershor kanë dërguar e-mail në Prokurorinë Speciale që t’ua përcjellin provat në CD, e që paraprakisht të sigurohen se dokumentet e ngarkuara në CD hapen.

Mirëpo, sipas avokates Berisha, nuk kanë pranuar asnjë shkresë pas e-mailit të datës 10 qershor, për çka tha se është njoftuar edhe kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi.

Më pas, prokurorja Ajshe Ferati tha se është duke e zëvendësuar prokuroren e rastit Merita Bina-Rugova dhe se nga ajo i është thënë se ka përmbushur të gjitha detyrimet për pajisjen e gjithë të akuzuarve me shkresa të lëndës.

Ferati kërkoi nga avokatja Berisha që të vijohet me deklarimin e të akuzuarit, duke marrë përsipër që brenda ditës do ta pajiste me shkresat të cilat i mungojnë. Mirëpo, Berisha tha se e në mungesë të shkresave të lëndës nuk mund të shkel të drejtat e klientit të saj Gashi.

Më pas, gjykatësi Krasniqi gjithashtu kërkoi nga avokatja Berisha që nëse e sheh të mundshme të vijohet me gjykim, pasi që është një numër i konsiderueshëm i të akuzuarve.

“Duke marrë parasysh obligimin që po e merr prokurorja, a mund të vijohet”, pyeti gjykatësi Krasniqi.

Megjithatë, avokatja Berisha tha se me gjithë respektin për gjykatësin, nuk mund t’i shkel të drejtat e klientit të saj.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës pritet të mbahet në muajin korrik.

Ndryshe, edhe seanca e datës 15 maj 2025 kishte dështuar për të njëjtat arsye.

Sipas aktakuzës së siguruar ekskluzivisht nga “Betimi për Drejtësi”, të akuzuarit – në krye me Omer Tenen – janë ngarkuar për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se grupi operoi nga tetori i vitit 2018 deri më 8 nëntor 2022, përmes kompanisë “O.T. Capital L.L.C”, e palicencuar për ndërmjetësim financiar.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përdornin emra të rremë, paraqiteshin si brokerë ndërkombëtarë dhe përmes aplikacioneve të telefonisë me IP të falsifikuara, i mashtronin qytetarët duke u premtuar fitime të larta me rrezik të ulët nga investimet online. Në fakt, platformat ishin simuluese dhe fitimet – të pavërteta.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi më 3 prill 2025 se ka ngritur aktakuzë ndaj Omer Tene, Altin Gashi, Bindi Balidemaj, Ilir Kadishani, Dibran Morina, Flaura Behluli, Altina Rashiti, Lauresa Hoxha, Artan Ademaj, Kujtim Islamaj dhe Vildane Kosumi.

Në pikën e parë të aktakuzës thuhet se 11 të akuzuarit e lartpërmendur si grup kriminal me në krye Omer Tenen, kishte organizuar dhe drejtuar veprimet e këtij grupi me kryerës edhe të tjerë të paidentifikuar nga Izraeli dhe shtetet e tjera, gjatë periudhës kohore tetor 2018, 8 nëntor 2022.

Qëllimi i grupit, gjithnjë sipas aktakuzës, ishte i përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, përmes punëtorëve të kompanisë së thirrjeve “O.T. Capital L.L.C” në Prishtinë, pronë e të pandehurit Omer Tene.

Tutje, sipas aktakuzës, kjo kompani nuk ka qenë e licencuar nga BQK për ndërmjetësim financiar dhe shërbime brokerim, e as nuk ka pasë kontrata për bashkëpunim me kompanitë online që ofrojnë shërbime në tregjet financiare.

E që, sipas aktakuzës, viktimave u janë prezantuar me emër të rrejshëm, të huaj, si “broker” apo ” këshilltar financiar” që vepron në emër të kompanive të tilla, edhe pse nuk kanë qenë të licencuar të punojnë si brokerë dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve i kanë mashtruar viktimat nga shtetet e ndryshme të botës.

Tutje, Tene, si bos i grupit, thuhet se i ka siguruar listat e viktimave potenciale dhe është kujdesur për organizimin dhe funksionimin e grupit; person i afërt me të ka qenë i pandehuri Dibran Morina i cili ka punuar si IT ekspert. Morina është kujdesur për mirëmbajtjen e platformave mashtruese, remote desktop (qasje nga distanca), krijimin e kredencialeve dhe ka bërë punët tjera në lidhje me funksionimin me lehtësi të krimit kibernetik.

Aktakuza thotë se Vildane Kosumi, në administratë, duke bashkëpunuar me celulat tjera të grupit të organizuar kriminal është marrë me koordinimin e punës mes tyre, ka pranuar listat e viktimave potencial dhe platformat e dyshimta, dhe është marrë me bonuset të cilët “brokerët” i kanë pranuar me përqindje nga investimi i viktimave.

Aty thuhet se Altin Gashi si Jack Hunter, Leo Philips ose Leonardo Philips; Bindi Balidemaj si David Mayer dhe Ilir Kadishani si Thomson ose Thomas Fischer dhe Kevin L. Brown; në sektorin e brokerëve “senior” kanë punuar Kujtim Islamaj si Tom van de Berg; Lauresa Hoxha – Laura Stones; dhe Artan Ademaj si Chris Sommer, të gjithë për gjuhën angleze; kurse Flaura Behluli si Nina Clark; Altina Rashiti si Maya Guttman; dhe Nikolas Pavlidis me pseudonimin Uber si “seniora” në gjuhën gjermane.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, veprat janë kryer me përdorimin e platformave të shumta të investimeve, ligjërisht të parregulluara apo të rregulluara shumë dobët ku të gjitha duken profesionale, por vlerat që viktimat kanë mundur t’i shohin kanë qenë vetëm simulime.

Ndërsa, kontaktin fillestar me viktimën, thuhet se e ka bërë brokeri junior apo Introducing Broker, përmes telefonit me aplikacione të cilat tregojnë IP adresa të pavërteta, të shteteve tjera, e pastaj, kur viktima ka treguar interesim për investime, lidhjen e kanë marrë brokeri senior dhe në fund brokeri retention për vlerat më të larta, të cilët viktimës i kanë premtuar fitime të larta me rrezik minimal dhe në atë mënyrë e kanë nxitur viktimën të investojë.

Njëkohësisht i kanë ofruar mundësinë që në pajisjet elektronike të instalojnë softuer për qasje nga distanca, për “brokerin” kinse për t`ia lehtësuar investimin, dhe në fakt nga ajo pajisje, pa autorizim të viktimës të nxjerrin para nga llogaria bankare e saj.

Dhe se paratë e “investimeve” kanë shkuar në xhirollogaritë të bizneseve të ndryshme në botë, të cilat anëtarët e grupit kriminal vetë i kanë regjistruar, për të humbur gjurmët, e një pjesë të tyre pastaj edhe në llogari të biznesit “O.T. Capital L.L.C”, ashtu që në atë mënyrë e kanë dëmtuar një numër të paidentifikuar të personave.

Viktimat nga gjermania:

–           Helmut Beckenmeyer, për shumën të përgjithshme prej 71.250,00 €,

–           Monika Northdurft-Menzel për shumën prej 113,758.00 €

–           Heinrich Bernhardt për 16,645.00 €

–           Kerstin Bartsch, për shumën e përgjithshme prej 20,000.00 €

–           Uwe de Moliner për shumën e përgjithshme prej rreth 20,000.00 €

–           Frank Wilms për shumën e përgjithshme prej rreth 75,000.00 €

–           Frank Wilms për shumën e përgjithshme prej rreth 75,000.00 €.

Kanada:

– Luc Tousignant për shumën prej 343,75 $

– Camille Marie Lapierre për shumën prej 19,128.85 CAD (dollar kanadez)

– Betty Shacter për shumën prej rreth 53,000.00 CAD

– Timothy Silvaggio për shumën prej 1,000.200.00 CAD

– Daniel Lavoie për shumën prej 30,604.05 CAD

– Graeme Sutherland për shumën prej 22,460.00 $

– Deborah Knill për shumën prej 532.00 $

– Roy Raymond për shumën prej rreth 36,000.00 $

– Wayne Davis për shumën e përgjithshme prej rreth 16,000.00 CAD

Zvicra:

– Ankica Radujko, për shumën prej 2,100.00 €

– Adamo Claudio Bontagnali, për shumën prej 3,750.00 €

– Walter Hochëimmer, për shumën prej gjithsej 186,086.00 CHF (franga zviceriane)

– Anna Maria Scherrer për shumën prej 4,000.00 € dhe 736.75 CHF

Australia:

– Owen James White për shumën totale prej 1,735.00 $

– Geffrey Duffton për shumën e përgjithshme prej 300,000.00 $

– Philip Schëarz për shumën prej 11.096,57 $

– Peter Schloss për shumën e përgjithshme prej 200,000.00 $

Suedia:

– Gunnar Dovung për shumën prej 350 SEK (krona suedeze)

– Peter Heldeskog për shumën prej 80.000 SEK

Luxemburg:

– Peter Heldeskog për shumën prej 80.000 SEK

Me këtë, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 të Kodit Penal lidhur me veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1.

Në këtë pikë, ngarkohet vetëm Tene ku thuhet se duke e ditur se pasuria e tijë buron nga aktivitetet kriminale të përshkruara në pikën I të aktakuzës dhe është e fituar me kryerjen e veprave penale, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtet të pasurisë, paratë e tilla nuk i ka vendosur në llogarinë e tij private në NLB.

Por, Tene thuhet se i ka ruajtur në portofoliot digjitale – Blockchain Wallet, KuCoin, Nebeus, Bits of Gold, Crypto.com dhe Flowbank, e pastaj ka bërë transfere dhe blerje përmes llogarive të tij në platformat digjitale Paypal dhe Wise, një pjesë të parave i ka pranuar në të njejtën llogari si transfer nga kompanitë e ndryshme të kontrolluara nga grupi i tij kriminal.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, kohë pas kohë Tene thuhet se ka konvertuar shuma më të vogla të kriptomonedhave në para-fizike të cilat i ka vendosur në llogarinë bankare të cekur më lart si deponim personal apo përmes njerëzve të besueshëm kinse si huazim, ndihmë apo deponim.

E që më pastaj, thuhet se Tene i ka përdorur sipas nevojës për nevojat e jetës së përditshme, si dhe në gusht 2022 për blerjen e veturës BMW, me vlerë prej 73,780,00 € dhe në atë mënyrë ka bërë integrimin e parave të pista në sistemin bankar legjitim.

Me këtë, Tene ngarkohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1. të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Me këtë pikë të aktakuzës, ngarkohet Dibran Morina ku thuhet se edhe pse e ka ditur që pasuria e të pandehurit Omer Tene është e fituar me kryerjen e veprës penale të përshkruar në pikë I, dhe i njëjti e ka për qëllim që burimin e saj ta maskojë, në periudhën e cekur në pikën I , në vazhdimësi i ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale duke i ndihmuar në konvertimin e parave digjitale në euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.