Studentët në Serbi dorëzojnë kallëzim penal kundër Vuçiqit – Protestë para Prokurorisë - Gazeta Express
string(84) "studentet-ne-serbi-dorezojne-kallezim-penal-kunder-vuciqit-proteste-para-prokurorise"

Lajme

Gazeta Express

17/06/2025 7:00

Studentët në Serbi dorëzojnë kallëzim penal kundër Vuçiqit – Protestë para Prokurorisë

Lajme

Gazeta Express

17/06/2025 7:00

Sot në orën 11:00, studentët e Fakultetit Juridik dhe atij të Mjekësisë në Universitetin e Beogradit, të cilët janë në bllokadë prej disa javësh, do të mblidhen para ndërtesave të këtyre dy fakulteteve dhe më pas do të nisen drejt Prokurorisë së Parë Themelore Publike nw Beograd. Aty do t’u bashkohen anëtarët e Zborit të punonjësve shëndetësorë të Serbisë dhe do të dorëzojnë një kallëzim penal kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Protesta organizohet në kuadër të aksionit “Mosnjohja e ligjit dëmton”, dhe do të përfshijë një shëtitje të qetë nga Fakulteti Juridik dhe parku Milutin Milankoviq, pranë Fakultetit të Mjekësisë, deri te ndërtesa e Prokurorisë. Në orën 11:52 pritet të mbahet 16 minuta heshtje para Prokurorisë, në nder të pacientëve të rrezikuar dhe si shenjë proteste kundër shkeljes së ligjeve shëndetësore.

Studentët në bllokadë kanë konfirmuar për portalin tonë se sot do të dorëzojnë zyrtarisht kallëzimin penal kundër presidentit Vuçiq, për siç e quajnë ata, “shkelje serioze të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Serbisë”, më 17 mars 2025, në njësinë e kujdesit intensiv të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë.

Incidenti që ka shkaktuar reagime të mëdha ndodhi pasi presidenti Vuçiq, së bashku me ministrin e shëndetësisë dhe një numër të madh gazetarësh, vizitoi pacientët nga Maqedonia e Veriut që ishin sjellë në Serbi pas një zjarri të rëndë në një diskotekë në Koçan. Gjatë vizitës në repartin e kujdesit intensiv, Vuçiq hoqi maskën kirurgjikale dhe kontaktoi fizikisht me pacientë me djegie të rënda, të cilët ishin në gjendje jashtëzakonisht të rrezikshme imunologjike.

Pas kësaj vizite, sipas deklaratave të mjekëve, pati një numër pacientësh që kërkuan të vizitoheshin nga familjarët, duke iu referuar shembullit të presidentit – ndonëse hyrja në këtë repart për persona të jashtëm është rreptësishtë e ndaluar.

“Mjekët dhe protokollet ekzistojnë me arsye. Presidenti, sado që mund të ketë ndihmuar në ndërtimin e qendrës klinike, nuk ka të drejtë të sillet sikur është shtëpia e tij,” deklaroi dr. Rade Paniq, anëtar i Zborit të Punonjësve Shëndetësorë dhe ish-kryetar i Sindikatës së Mjekëve dhe Farmacistëve të Serbisë.

Studentët theksojnë se veprimi i presidentit ka përbërë një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e pacientëve dhe është në kundërshtim me të gjitha protokollet etike dhe mjekësore.

“Pse tani? Sepse shkelja e ligjit dhe abuzimi me institucionet janë bërë përditshmëri. Heshtja do të thotë pranim. Veprimi është ndryshim. Ligji është mbi të gjithë!” – thuhet në deklaratën e studentëve.

Zboret e mjekëve dhe studentët bëjnë thirrje që qytetarët, punonjësit shëndetësorë dhe studentët nga të gjitha fakultetet të bashkohen në këtë protestë, duke theksuar se “shëndeti dhe dinjiteti janë mbi politikën”.

Protesta e sotme pritet të jetë një nga manifestimet më të fuqishme të pakënaqësisë së profesionistëve të rinj dhe qytetarëve të ndërgjegjshëm ndaj sjelljes së pushtetit aktual.