Dosja: Si përfituan para të shtetit drejtuesit e ndërmarrjes “Ambienti” në Pejë - Gazeta Express
string(76) "dosja-si-perfituan-para-te-shtetit-drejtuesit-e-ndermarrjes-ambienti-ne-peje"

Lajme

Gazeta Express

17/06/2025 7:10

Dosja: Si përfituan para të shtetit drejtuesit e ndërmarrjes “Ambienti” në Pejë

Lajme

Gazeta Express

17/06/2025 7:10

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre pesë personave zyrtarë, Arton Muhaxherri, Idriz Bala, Fisnik Ademi, Shpetim Gashi dhe Nexhat Abdullahu. Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Konflikti i interesit”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme” dhe “ Deklarimi i rremë nën betim”, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës, shkruan Insajderi.

Insajderi ka siguruar dosjen e pesë personave zyrtarë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës.

Këtë hetim e ka kryer prokurori Ersan Qavolli.

Si përfituan para të shtetit drejtuesit e ndërmarrjes “Ambienti” në Pejë?

Në dosje thuhet se: të pandehurit Arton Muhaxherri, Idriz Bala, Fisnik Ademi, Shpetim Gashi dhe Nexhat Abdullahu: Nga viti 2020 e në vazhdimësi gjer në fund të vitit 2022, në Pejë, duke vepruar si bashkëkryerës, në cilësinë e personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personat e tjerë, duke shfrytëzuar detyrat e tyre tejkalojnë autorizimet e tyre zyrtare, në atë mënyrë që, i pandehuri Arton Muhaxherri si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes publike KRM “Ambienti” në Pejë, të pandehurit Idriz Bala, Fisnik Ademi, Shpetim Gashi, si anëtar të këtij bordi dhe i pandehuri Nexhat Abdullahu si Kryeshef ekzekutiv dhe anëtar i bordit të kësaj ndërmarrje, në kundërshtim me nenin 20 par. 6 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-087 për ndërmarrjet publike, pa vendim të aksionarit dhe pa mbulesë ligjore vendosin t’i ndajnë vetit bonuse dhe atë:

Me datën 11.08.2020, pas votimit në bord nxjerrin vendimin nr. 670 të cilin e nënshkruan i pandehuri Shpëtim Gashi, nga i cili vendim i pandehuri Arton Muhaxherri përfiton 2,553.00€, i pandehuri Idrizi Balaj 1,806.39€, i pandehuri Fisnik Ademi 2,206.39€, i pandehuri Shpëtim Gashi 2,373.73€ dhe i pandehuri Nexhat Abdullahu 1,415.60€,

Me datën 11.08.2021, pas votimit në bord nxjerrin vendimin 2189 të cilin e nënshkruan i pandehuri Shpëtim Gashi, nga i cili vendim i pandehuri Arton Muhaxherri përfiton 3,281.51.00€, i pandehuri Idrizi Balaj 2,928.99€, i pandehuri Fisnik Ademi 2,930.64€, i pandehuri Shpëtim Gashi 3,095.55€ dhe i pandehuri Nexhat Abdullahu 2,990.40€,

Me datën 05.05.2022, pas votimit në bord nxjerrin vendimin nr. 633 të cilin e nënshkruan i pandehuri Shpëtim Gashi, nga i cili vendim i pandehuri Arton Muhaxherri përfiton 3,150.00€, i pandehuri Idrizi Balaj 2,400.00€, i pandehuri Fisnik Ademi 2,400.00€, i pandehuri Shpëtim Gashi 2,580.00€ dhe i pandehuri Nexhat Abdullahu 1,394.42€,

ashtu që i pandehuri Muhaxherri përfiton shumën e përgjithshme prej 8,984.51€, i pandehuri Idriz Bala shumën prej 7,148.15€, i pandehuri Fisnik Ademi shumën prej 7,549.80€, i pandehuri Shpetim Gashi shumën prej 8,066.73€ dhe i pandehuri Nexhat Abdullahu 5,800.42€, me vlerë të përgjithshme 37,549.61€.

Me këtë duke vepruar si bashkëkryerës kanë kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 1 lidhur me nenin 77 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Cka thuhet në dosje për Kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes publike KRM “Ambienti” në Pejë, Arton Muhaxheri?

Me datën 20.06.2022 dhe 26.08.2022, në Pejë, pasi të ketë nënshkruar deklaratën nën betim për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim fsheh çështje relevante për procedurën, në atë mënyrë që, i pandehuri në zgjedhjet lokale të datës 22.10.2021 ka qenë kandidat i PDK-së, ndërsa me datën 30.11.2021 në seancën inagurese të Asamblesë Komunale të Pejës ka dhënë betimin si asambleist, mirëpo i njëjti në bazë të konkursit Nr. 01-111/01-0054227/22 të datës 24.05.2022 për zgjedhjen e katër anëtarëve në Bordin e Drejtorëve të NPL “Ambienti” Sh.A. në Pejë, pika (K) dhe nenit 17 par. 1 pika (K) të Ligjit për ndërmarrjet publike se një person mund të shërbej si drejtor vetëm nëse ndër të tjera është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, edhe përkundër faktit se ka dhënë betimin si asambleist i PDK-së në KK Pejë, me datën 20.06.2022 rrejshëm deklaron nën betim se i plotëson kushtet e përcaktuara në nenin 17 par. 1 dhe 2 të ligjit të lartcekur dhe prapë nën betim, me datën 26.08.2022 gjatë intervistës për drejtor të bordit të kësaj ndërmarrje, e fsheh faktin se ka qenë i emëruar politik sikurse më lart.

Me këtë ka kryer vepër penale “Deklarimi i rremë nën betim” nga neni 383 par. 1 i KPRK-së.

Me datën 26.08.2022 në Pejë, vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore, në atë mënyrë që, i pandehuri me rastin e intervistimit të tij nga Komisioni Komunal i Aksionarëve të NPL “Ambienti” në Pejë me datën 26.08.2022 nga A.K, G.F dhe F.SH për anëtar të Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrje fsheh faktin se brenda periudhës 36 muajsh ka qenë i emëruar politik dhe atë me datën 30.11.2021 në seancën inaugurese të Asamblesë Komunale të Pejës ka dhënë betimin si asambleist i PDK-së, të cilët duke u vu në lajthim e përzgjedhin si anëtar të këtij bordi.

Me këtë ka kryer vepër penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 395 par. 1 i KPRK-së.

Me datën 31.10.2022 në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, tejkalon autorizimet e tij zyrtare, në atë mënyrë që, i pandehuri Arton Muhaxherri duke qenë Kryesues i Bordit të drejtorëve në KRM “Ambienti” në Pejë, në kundërshtim me nenin 20 par. 6 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-087 për ndërmarrjet publike, pa vendim të aksionarit dhe pa mbulesë ligjore, nënshkruan vendimin e datës 31.10.2022 për kompensim për trajnim në vlerë prej 450€ për anëtarin e Bordit të drejtorëve Fisnik Ademi, i cili nuk ishte punëtor me vendim të përhershëm në KRM “Ambienti” në Pejë.

Me këtë ka kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 1 lidhur me nenin 77 i KPRK-së.

Cka thuhet në dosje për Kryeshefin ekzekutiv dhe anëtarin e bordit të ndërmarrjes KRM Ambienti, Nexhat Abdullahu?

I pandehuri Nexhat Abdullahu: Në vazhdimësi gjer në vitin 2020, në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për personat tjerë, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që, i pandehuri duke qenë kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes KRM Ambienti në Pejë, në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr. 07/2017 për procedurat e publikimit të konkursit dhe nenin 8 të Ligjit të Punës pa shpall konkurs publik për punë dhe pa kryer procedurat e rekrutimit:

Me datën 14.05.2019, pa i kryer procedurat e intervistës dhe testit me shkrim i mundëson punësimin në këtë ndërmarrje të personit Alfred Tahirsylaj, me datën 23.02.2016, 13.06.2016, 24.10.2016, 24.10.2016, 16.05.2017, 26.04.2018 dhe 15.02.2019, pa shpall konkurs, pa i kryer procedurat e intervistës dhe testit me shkrim i mundëson punësimin në këtë ndërmarrje personit Shpresa Berisha si zyrtare për lëshimin e vërtetimeve për regjistrim të automjeteve, ndërsa në vitin 2019 si arkëtare, me datën 09.08.2018, 19.11.2018 dhe 01.02.2019, pa shpall konkurs, pa i kryer procedurat e intervistës dhe testit me shkrim i mundëson punësimin në këtë ndërmarrje personit Flakron Gashi, me datën 09.02.2018 dhe 28.04.2020, pa shpall konkurs, pa i kryer procedurat e intervistës dhe testit me shkrim i mundëson punësimin në këtë ndërmarrje personit Naser Kuqi, pa i zhvilluar procedurat e rekrutimit i mundëson punën praktike Erhan Kelmendit – me kontratë pune në kohë të caktuar prej 01.07.2019 – 31.12.2019 për pozitën inspektor i brendshëm; Anita Çivlaku – me kontratë pune në kohë të caktuar prej 01.07.2019 – 31.12.2019 për pozitën sekretaresh; Faruk Podrimqaku – me kontratë pune në kohë të caktuar prej 01.08.2019 – 31.12.2019 për pozitën inkasant; dhe Arton Krasniqi – me kontratë pune në kohë të caktuar prej 16.09.2019 – 31.12.2019 për pozitën inkasant, të cilët për këtë periudhë paguhen me nga 300€ në muaj dhe më pas janë punësuar në këtë ndërmarrje. Me këtë ka kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 1 lidhur me nenin 77 i KPRK-së.

VI. Në kohë të panjohur e në vazhdimësi deri në vitin 2020 në Pejë, si person zyrtar merr pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare për të cilën e ka ditur se ndonjë anëtar i familjes që ka të bëjë me të, ka interes financiar, në atë mënyrë që, i pandehuri duke qenë kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes KRM Ambienti në Pejë, në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr. 07/2017 për procedurat e publikimit të konkursit dhe nenin 8 të Ligjit të Punës pa shpall konkurs publik për punë dhe pa kryer procedurat e rekrutimit, nga viti 2018 e deri në vitin 2020 i nënshkruan kontratat e punës për Alban Mushkolaj, të cilin e ka djalë të motrës, përkatësisht:

Me datën 16.01.2018 lidhin kontratën e punës për kohë të caktuar/të pacaktuar e Alban Mushkolaj nërmjet KRM Ambienti me përfaqësues Nexhat Abdullahu si punëdhënës dhe Alban Mushkolaj si punëmararës,

Me datën 25.07.2019 lidhin kontratën e punës për kohë të caktuar/të pacaktuar e Alban Mushkolaj ndërmjet KRM Ambienti Pejë me përfaqësues Nexhat Abdullahu si punëdhënës dhe Alban Mushkolaj si punëmarrës ku ky i fundit është caktuar si kryepunëtor,

Me datën 25.07.2019 i pandehuri Nexhat Abdullahu nxjerr aktvendim 6624 për caktimin e punëtorit në punë dhe detyrat e punës me dt. 25.07.2019, me të cilin i pandehuri Nexhat Abdullahu ka sistemuar si kryepunëtor Alban Mushkolajn,

Me datën 05.05.2020 lidhin aneksi nr. 1 – kontrata e punësimit me numër protokolli 662 dt. 25.07.2019, në mes të të pandehurit Nexhat Abdullahu dhe Alban Mushkolaj me të cilën është vendosur se kontrata e datës 25.07.2019 mbetet në fuqi por paga bazë e Alban Mushkolaj nga 250€ ngritet në 410€, e po ashtu të njëjtit do t’i paguhen edhe 57€ në muaj si kompensim për ushqim.

Me këtë ka kryer vepër penale “Konflikti i interesit” nga neni 417 par. 1 lidhur me nenin 77 i KPRK-së. /Insajderi