Establishmenti demokrat u mblodh këtë fundjavë në Hamptons për një dasmë që ngjante me një kurorëzim mbretëror në botën e politikës – një event që bashkoi botën e politikës me shumë para me figurat më me ndikim të epokës Clinton.
Të sapomartuarit ishin Alex Soros, djali i George Soros – donatori më bujar i Partisë Demokratike – dhe Huma Abedin, ndihmëse politike e cila shpesh është përshkruar si vajza e Hillary Clinton, ish-Zonjë e Parë dhe Sekretare Shteti. Dasma u mbajt të shtunën në një nga pronat e familjes Soros në Water Mill, Nju Jork, dhe tërhoqi avionë privatë dhe një grup ish-ndihmësish të Clintonëve, duke përqendruar në një vend të vetëm një sasi të pazakontë pasurie dhe pushteti.
Përtej familjeve të çiftit, lista e të ftuarve përfshinte znj. Clinton dhe bashkëshortin e saj, ish-Presidentin Bill Clinton; ish-nënpresidenten Kamala Harris dhe bashkëshortin e saj, Doug Emhoff; senatorin Chuck Schumer të Nju Jorkut, udhëheqësin e pakicës; ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi; personazhe të famshëm si Nicky Hilton Rothschild; figura kulturore si redaktorja e Vogue, Anna Wintour; miq të hershëm të Clinton si ndërmjetësja e fuqishme nga San Francisko, Susie Tompkins Buell; dhe personalitete të huaja si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ky parakalim yjesh u përshkrua nga katër të pranishëm në dasmë si dhe nga disa përfaqësues të të ftuarve. Përfaqësuesit e çiftit nuk dhanë koment menjëherë.
Grupi vokal Boyz II Men performoi në dasmë, sipas dy prej të pranishmëve, dhe midis folësve që mbajtën dolli ishin vëllai i Alex Soros, Jonathan, znj. Clinton, znj. Wintour dhe Edi Rama. Pjatat përfshinin agnolotti me tartufe, supë angleze me bizele të ftohta dhe mish amerikano-japonez Wagyu me karkaleca në zgarë.
Festimet rastësisht përkuan me një fundjavë jashtëzakonisht kaotike brenda dhe jashtë vendit. Protestuesit u mblodhën në të gjithë vendin për të kundërshtuar Presidentin Trump, edhe pse ai mbajti një paradë ushtarake të pazakontë në Uashington; një ligjvënës i Minesotës u vra në një shpërthim të ri dhune politike; dhe sulmet midis Izraelit dhe Iranit nxitën frikën e një zjarri më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Gjithçka ishte shumë më e qetë në Hamptons, ndërsa karvanë me SUV të zinj transportuan pjesëmarrësit në dasmë përgjatë një rrugice të ngushtë me pyll dhe përmes një porte të rrethuar nga lule vjollcë.
Alex Soros është një nga figurat më intriguese të botës së donatorëve. I doktoruar për histori, ai ka marrë tashmë në dorë aktivitetin filantropik të udhëhequr për dekada nga i ati, tashmë 94 vjeç, i cili është përkrahës i kauzave liberale në të gjithë botën dhe i urryer për të djathtën ekstreme. Sorosi i ri është shprehur se vetë ai është “më politikan” se i ati.
Alex Soros, 39 vjeç, ka zbuluar gjithashtu se ndihet rehat në qendër të vëmendjes dhe ka postuar vazhdimisht në mediat sociale, ndërsa ka detajuar takimet e tij me udhëheqësit demokratë. Ai ka të ngjarë të jetë një pjesë e rëndësishme e skenës së filantropisë liberale për dekada të tëra dhe shumë në qarqet progresive duan të qëndrojnë pranë tij.
Romanca e tij me Huma Abedin, 49 vjeçe, ka magjepsur pjesë të shoqërisë së lartë. Kjo pjesërisht për shkak se martesa e saj e fundit u përkeqësua në një mënyrë dramatike: ish-burri i saj, ish-kongresmeni Anthony Weiner, u përfshi në skandale të shumta seksuale përpara se ajo të njoftonte ndarjen e tyre në vitin 2016.
Soros dhe Abedin njoftuan fejesën e tyre korrikun e kaluar. Fillimisht ata planifikuan të martoheshin fshehurazi, raportoi Vogue të shtunën, por ndryshuan mendje pas një feste fejese të bashkë-organizuar nga Hillary Clinton në dhjetor, ku pjesëmarrësit ushtruan presion mbi çiftin për të mbajtur një festë më tradicionale.
“Mendoj se ajo e meriton”, i tha Clinton revistës. “Ajo e meriton të ketë një moment të tillë”.
Festimet e fundjavës përfshinin një ceremoni më të vogël për të nderuar si besimin mysliman të znj. Abedin ashtu edhe trashëgiminë hebraike të z. Soros.
Në dallim nga z. Soros, znj. Abedin ka treguar një dëshirë për privatësi. Ajo filloi të punonte për znj. Clinton si një praktikante 19-vjeçare, ndërsa ndiqte Universitetin George Washington, dhe gradualisht mori role gjithnjw e më publike. Ajo botoi një autobiografi në vitin 2021 dhe është aktualisht kontribuese në MSNBC.
Tani, martesa e saj me Alex Soros do t’i çimentojë ata si një çift politik dhe do të vazhdojnë ta gjejnë veten në qendër të vëmendjes së publikut.
Këtë fundjavë, Hamptons i ngjau një ribashkimi të epokës së Klintonit, ndërsa të ftuarit mbushën bufet e provave dhe hotelet e shtrenjta për të ngrënë dhe pirë diçka të re, sipas atyre që morën pjesë.
“Trafiku ka qenë kaos ditët e fundit”, tha Zach Erdem, një pronar restoranti dhe personalitet televiziv i cili jeton në Southamptonin aty pranë që nga viti 2002.
Skena e të pasurve ishte veçanërisht mbresëlënëse duke pasur parasysh debatin e ashpër të Partisë Demokratike se si të përmirësojë pozicionin e saj historikisht të ulët tek votuesit dhe të rifitojë amerikanët e klasës punëtore, me të cilët shihet gjerësisht se ka humbur kontaktin.
Ndërsa Maserati, Porsche dhe makina të tjera luksoze rrëshqisnin përgjatë rrugës pranë vendit të dasmës, disa kalimtarë ndalonin për të parë. Një grua u përkul nga sedilja e pasagjerit dhe tundte krahët, duke bërtitur: “Përshëndetje, Bill”! Nuk ishte e qartë nëse Clinton ishte në distancë të afërt me të.
Kjo dasmë mund të jetë ngjarja më e përfolur e verës për elitën shoqërore – por vetëm për pak javë. Më vonë këtë muaj, disa nga të njëjtët të ftuar do të udhëtojnë për në Venecia për dasmën e një çifti tjetër të fuqishëm: Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez./ New York Times