Portieri i Barcelonës, Inaki Peña, ka vendosur të kërkojë largimin nga klubi gjatë merkatos së verës, edhe pse në kontratën e tij ekziston një bonus besnikërie që parashikohet të paguhet në vitin 2026.
Peña fillimisht mori rolin e portierit titullar pas dëmtimit të Marc-André ter Stegen në ligamentin e gjurit në fillim të sezonit. Megjithatë, situata ndryshoi pasi Barcelona përfitoi nga rregullorja e La Ligës për të bërë një transferim emergjent dhe trajneri Hansi Flick solli nga pensionimi Wojciech Szczesny.
Ky vendim nuk është pritur mirë nga Peña, i cili humbi vendin në formacion ndaj polakut, i cili po negocion edhe një zgjatje të kontratës për sezonin 2025/26. Szczesny shkëlqeu mes shtyllave, duke qenë pjesë kyçe në suksesin historik të Barcelonës këtë sezon, ku klubi fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.
Ndërkohë, e ardhmja e Ter Stegen është e pasigurt, me spekulime për një largim të mundshëm gjatë verës, ndërsa Barça është shumë pranë marrëveshjes me portierin e Espanyolit, Joan Garcia.
Sipas Mundo Deportivo, dëshira e parë e Peña-s është të qëndrojë në Spanjë, por Barcelona dëshiron ta shesë sa më shpejt, pasi kontrata e tij skadon në vitin 2026. Klubi nuk dëshiron ta humbasë me parametra zero pas dy vitesh. Celta Vigo ka nisur bisedimet paraprake me përfaqësuesit e rinj të lojtarit, dhe ndryshimi i agjentit po shihet si një sinjal i qartë i dëshirës për largim.
Në një zhvillim të fundit, Peña i ka komunikuar zyrtarisht klubit se dëshiron të largohet menjëherë dhe nuk ka ndërmend të qëndrojë deri në fund të kontratës, duke hequr dorë kështu edhe nga bonusi që do të merrte në 2026.
Përveç Celtës, në garë është futur edhe kampionia e Turqisë, Galatasaray, e cila po ndërton një skuadër ambicioze dhe së fundmi ka arritur marrëveshje për transferimin e Leroy Sané nga Bayern Munich. Galatasaray e sheh Peña-n si një përforcim të rëndësishëm për portën në sezonin e ardhshëm.