Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar për Wall Street Journal se SHBA kishte dijeni për planet e Izraelit për të sulmuar Iranin.
Sipas WSJ, përmes një interviste të shkurtër telefonike, i pyetur se çfarë paralajmërime ka pasur para sulmit, Trump është shprehur me fjalët:
“Paralajmërim? S’ishte paralajmërim. Ne e dinim çfarë po ndodhte.”
Ai tutje ka shtuar se kishte folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të enjten dhe se planifikonte të fliste sërish me të të premten.
Ndërkohë, sulmin e Izraelit ndaj Iranit, Trump e ka përshkruar si “shumë të suksesshëm, për ta thënë butë”, raporton WSJ, transmeton Express.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë mes tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme dhe përgatitjeve të SHBA-së për një përshkallëzim të mundshëm.