Në Pallatin e Drejtësisë ku është e vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë, temperaturat në sallat e gjykimit dhe zyrat e gjykatësve këto ditë po arrijnë mbi 30 gradë.
Lidhur me këtë situatë, nga Gjykata Themelore në Prishitinë kanë thënë se temperaturat po vështirësojnë punën e gjykatësve dhe gjithë stafit administrativ.
“Ju informojmë se kondicionerët në Gjykatën Themelore në Prishtinë – në objektin A dhe D nuk janë duke funksionuar siç duhet. Si pasojë e kësaj, temperaturat në zyrat e gjykatës kanë arritur deri në 31.5°C, duke krijuar kushte të vështira për punë. Temperaturat e larta nëpër zyre të gjykatës dhe salla të gjykimit janë duke ndikuar negativisht në shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ, si dhe në efikasitetin e punës së përditshme në gjykatë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës, Mirlinda Gashi për “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata sqaroi se Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njoftuar për këtë situatë, po ashtu edhe Ministria e Punëve të Brendshme, nga të cilët është kërkuar të zgjidhet ky problem.
“Menaxhmenti i gjykatës ka njoftuar KGJK-në, si dhe në mënyrë të përsëritur ka njoftuar zyrtarët kompetentë nga Ministria e Punëve të Brendshme – Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave (DMN), duke kërkuar intervenim për sanimin e problemit, megjithatë deri më tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe gjendja është duke vazhduar të jetë e njëjtë”, thuhet tutje në përgjigje.
Sipas tyre, përgjegjësia e drejtpërdrejtë në këtë rast është e MPB-së.
“Ne si gjykatë konsiderojmë se zgjidhja e këtij problemi teknik është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e zyrtarëve kompetentë të MPB-së – DMN, të cilët gjykata në çdo kohë është duke i ftuar që të ndërmarrin veprime urgjente për ta normalizuar gjendjen. Shpresojmë se kjo gjendje të përmirësohet, pasi që ambienti i papërshtatshëm për punë jo vetëm që është duke cenuar mirëqenien fizike të stafit dhe gjyqtarëve por edhe është duke penguar cilësinë dhe trajtimin në kohë të lëndëve gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Në anën tjetër, Naim Rrustemi nga Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se kanë kërkuar t’i zëvendësojnë pajisjet e prishura, mirëpo kërkesa e tyre nuk është plotësuar.
“Në vazhdimësi kemi reaguar nuk di çka me reagu ma, Pallati ende nuk ka kalu në administrim të Këshillit Gjyqësor nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, kam kërkuar sqarime pse nuk funksionon klima dhe se sipas zyrtarëve që mirëmbajnë objektin dhe se është bërë kërkesa për zëvendësim të pajisjeve të prishura por se Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal nuk ka plotësuar kërkesën” tha Rrustemi.
Sipas Rrustemit, gjendja me temperatura është e rëndë dhe po vështirëson punën, teksa tha se nuk e përjashtojnë mundësinë e grevës.
“Ndoshta me protestu një orë, dy orë e deri të grevë, që mbetet e fundit”, Rrustemi.
Ndryshe, situatë e njëjtë në Pallatin e Drejtësisë vazhdon pothuajse çdo vit në këtë periudhë.
Ndryshe më 26 gusht të vitit 2022 punëtorët e Pallatit të Drejtësisë kishin protestuar për kushtet jo të mira të punës në këtë objekt dhe atë për temperaturat e larta dhe mosfunksionimin e sistemit të klimatizimit brenda këtij objekti.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në tetor të vitit 2022 kishte marrë vendim për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, për shkak të mungesë së oksigjenit dhe problemeve shëndetësore që iu shfaqeshin punëtorëve dhe stafit shkak i gjendjes së objekteve
Po ashtu në korrik të 2023 KGJK kishte paralajmëruar ndërpreje të punës në Pallatin e Drejtësisë për shkak të temperaturave të larta si pasojë e mungesës së klimatizimit, duke u drejtuar një letër të hapur udhëheqësve të institucioneve të Kosovës për përmirësim të gjendjes.