Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kosovare Murseli, ka folur pas dështimeve të njëpasnjëshme të seancave të Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si një degradim të funksionimit parlamentar dhe mungesë të përgjegjësisë institucionale.
Murseli tha se seancat po kthehen në formalitet të zbrazët, kërkohet pezullimi i tyre deri në zhbllokim real.
“Fatkeqësisht seancat e Kuvendit që po thirren çdo 48 orë kanë humbur kuptimin dhe seriozitetin që kërkon një institucion i tillë. Ato janë kthyer në një formalitet të zbrazët, pa përmbajtje dhe pa vullnet real për zgjidhje.” tha ajo.
Ajo kritikoi qasjen politike që, sipas saj, po bllokon funksionimin e institucioneve për shkak të inateve politike.
“Si deputete e këtij Kuvendi dhe përfaqësuese e qytetarëve, nuk mund të pajtohem me këtë lojë të papërgjegjshme politike, që nuk i shërben as qytetarëve, as rendit kushtetues, as interesit kombëtar,” theksoi Murseli.
Deputetja e PDK-së vlerësoi se situata aktuale nuk është vetëm e papranueshme politikisht, por edhe në kundërshtim me përgjegjësitë ligjore e kushtetuese që kanë deputetët dhe Kuvendi si institucion.
“Është krejtësisht e pajustifikueshme që për inate politike po bllokohet funksionimi i institucioneve. Ne kemi përgjegjësi të qarta ligjore dhe kushtetuese, dhe kjo situatë po i shkel të dyja,” deklaroi ajo.
Murseli ka propozuar pezullimin e përkohshëm të seancave, deri në një moment kur të ekzistojë vullnet serioz për ta zgjidhur situatën.
“Në këtë kontekst, mendoj se është e arsyeshme dhe e nevojshme që këto seanca të pezullohen përkohësisht, deri në një moment kur të ketë vullnet serioz për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zhbllokimin e punës institucionale,” u shpreh ajo për FrontOnline.
Murseli theksoi se qytetarët meritojnë institucione funksionale dhe përfaqësim me integritet.
“Qytetarët meritojnë stabilitet, seriozitet dhe përfaqësim dinjitoz, jo kriza të fabrikuara dhe bllokada të pafundme,” përfundoi ajo.