Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të enjten se sulmet ajrore të ndërmarra kundër objektivave në Iran ishin një masë e domosdoshme për të garantuar sigurinë kombëtare të shtetit hebre. Në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt, ai theksoi se operacioni ushtarak synonte të pengonte një kërcënim serioz që, sipas tij, vinte nga programi bërthamor iranian.
“Sot, nuk kemi kryer një sulm – kemi vepruar për vetëmbrojtje,” tha Netanyahu. “Për vite me radhë, Irani ka zhvilluar në mënyrë të fshehtë një kapacitet bërthamor që përbën një rrezik të papranueshëm për Izraelin. Ne jemi detyruar të veprojmë.”
Kryeministri sqaroi se objektivat e goditura ishin të përzgjedhur me kujdes dhe kishin karakter ushtarak e bërthamor. Ai mohoi çdo synim për të dëmtuar civilët dhe nënvizoi se qëllimi i Izraelit nuk është përshkallëzimi i konfliktit.
“Ne nuk kërkojmë luftë, por nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë kërcënimeve,” u shpreh ai, duke shtuar se forcat izraelite janë në gatishmëri të lartë në të gjitha kufijtë.
Netanyahu paralajmëroi gjithashtu se çdo reagim ushtarak nga ana e Iranit do të përballet me një përgjigje të ashpër dhe të menjëhershme nga ana e Izraelit.
Në përmbyllje të deklaratës së tij, ai falënderoi aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre, duke theksuar se “bashkësia ndërkombëtare po kupton gjithnjë e më shumë rrezikun që përfaqëson Irani për stabilitetin rajonal.”
“Do të veprojmë me vendosmëri për të mbrojtur qytetarët tanë dhe për të garantuar të ardhmen e sigurisë së Izraelit,” përfundoi Netanyahu.