Sipas një studimi të fundit, çdo i katërti shofer është i pakënaqur me teknologjinë që ofrojnë makinat moderne. Veçori si sistemi i mbajtjes në korsi apo paralajmërimi për pikën e verbër shpesh shkaktojnë konfuzion e madje frikë për shumë drejtues mjetesh.
Shoferët e kanë të vështirë të përshtaten me teknologjitë e avancuara të automjeteve të sotme. Shumë prej tyre nuk kuptojnë si funksionojnë sistemet automatike të frenimit apo drejtimit të timonit gjatë ndërrimit të korsive.
Një hulumtim i realizuar nga DG Cities në Mbretërinë e Bashkuar dhe publikuar nga Autocar, tregon se 40% e shoferëve ndihen të painformuar për funksionimin e teknologjisë së re në makinat që drejtojnë. Këto përfshijnë asistencën për mbajtje në korsi, kontrollin adaptiv të lundrimit dhe sistemet e paralajmërimit për pika të verbra. Ndryshimet nga një markë në tjetrën e bëjnë edhe më të vështirë përshtatjen.
Madje, një në dhjetë shoferë nuk i beson fare funksionalitetit të këtyre sistemeve, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me frenimin automatik në raste emergjente apo njohjen e shenjave të trafikut – një pasiguri që, sipas studiuesve, mund të sjellë pasoja serioze në sigurinë rrugore.
Një tjetër problem që theksohet është mungesa e përgjegjësisë në edukimin e shoferëve për këto teknologji. Prodhuesit e makinave nuk i promovojnë këto sisteme si pikë të forta shitjeje, dhe as shitësit nuk i prezantojnë ato në mënyrë të qartë tek blerësit. Si rezultat, shumë drejtues mjetesh marrin çelësat e makinës pa pasur asnjë ide se si funksionojnë teknologjitë që ajo përmban – duke e zbuluar vetëm atëherë kur aktivizohen papritur gjatë vozitjes, shpesh duke shkaktuar stres dhe paqartësi./Albinfo