string(112) "presidenca-ka-gati-draftin-per-kushtetuese-rreth-bllokades-ne-kuvend-po-e-pret-aktgjykimin-per-kerkesen-e-aak-se"

Lajme

Gazeta Express

10/06/2025 11:51

Presidenca ka gati draftin për Kushtetuese rreth bllokadës në Kuvend, po e pret aktgjykimin për kërkesën e AAK-së

Lajme

Gazeta Express

10/06/2025 11:51

Presidenca e Kosovës ka gati një draft për bllokadën në Kuvendin e Kosovës për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, por atë do të mund ta dërgojë pasi kjo gjykatë ta shpallë aktgjykimin rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë”.

Pas takimit që Osmani pati në maj me liderët e partive parlamentare kishte deklaruar se është e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta pyetur për opinionin e saj në zhbllokimin e ngërçit, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.

Ajo tha se ka disa opsione nëse vazhdon ngërçi, “një është që deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën, mënyra tjetër është që unë si presidente t’i drejtohem Kushtetueses”.

“Nëse do të kishte pajtim edhe nga ata, nuk kam problem ta dërgoj këtë çështje në Kushtetuese”, kishte thënë ajo.

Ndërkaq, për një takim të dytë me udhëheqësit e partive, Kupina tha se ftesa e Osmanit është ende e hapur dhe se këtë ajo ia ka përsëritur atyre në takimin që e mbajtën lidhur me caktimin e datës për zgjedhjet lokale.

“Pas takimit të mbajtur më 15 maj 2025, i cili ishte takimi i parë konsultativ, Presidentja i ka ftuar sërish liderët e partive politike në një takim të dytë konsultativ, kësaj here për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale. Gjatë këtij takimi të dytë, Presidentja e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. Ftesa e Presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike”, tha Kupina.