Zyrtarë të lartë amerikanë dhe kinezë kanë rifilluar të martën në Londër raundin e dytë të bisedimeve tregtare sipas Reuters, me shpresën për një përparim në lidhje me kontrollin e eksporteve të metaleve të rralla dhe mallrave të tjera strategjike, që kanë rrezikuar të sjellin një përplasje të re mes dy superfuqive.
Investitorët kanë shpresë për përmirësim të marrëdhënieve, sidomos pasi një marrëveshje paraprake e arritur në Gjenevë muajin e kaluar kishte sjellë lehtësim të tregjeve.
Pas raundit të parë të bisedimeve të hënën në Londër, presidenti amerikan Donald Trump tha se: “Po ia dalim mirë me Kinën. Kina nuk është e lehtë. Po marr vetëm raporte pozitive.”
Administrata Trump pret që “pas shtrëngimit të duarve” në Londër, “çdo kufizim i eksporteve nga SHBA do të lehtësohet dhe Kina do të lirojë në sasi të mëdha metalet e rralla,” ka deklaruar tutje Kevin Hassett, drejtues i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë.
Kujtojmë se kohën e fundit, marrëdhëniet tregtare midis SHBA-së dhe Kinës kanë qenë të tensionuara për shkak të tarifave të ndërsjella, kufizimeve të eksporteve dhe konkurrencës për burimet strategjike. Një nga temat më delikate është kontrolli i metaleve të rralla, të cilat janë elemente të domosdoshme për prodhimin e teknologjive të avancuara, si pajisjet elektronike, panelet diellore, makinat elektrike dhe sistemet ushtarake.
Kina është furnizuesja më e madhe në botë e metaleve të rralla, ndaj çdo vendim i saj për të kufizuar eksportet mund të ndikojë zinxhirët globalë të furnizimit