Teherani do t’i paraqesë së shpejti një propozim të ri Shteteve të Bashkuara për të rifilluar bisedimet mbi marrëveshjen bërthamore, duke e cilësuar planin si të arsyeshëm dhe të balancuar. Lajmi u konfirmua të hënën nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, gjatë një konference për shtyp në Teheran.
“Pasi të përfundohet, do t’ia përcjellim propozimin tonë SHBA-së përmes ndërmjetësimit të Omanit. I bëjmë thirrje palës amerikane ta shfrytëzojë këtë mundësi,” deklaroi ai.
Zyrtari iranian kritikoi propozimin amerikan, duke thënë se atij i mungojnë elementë thelbësorë dhe se nuk parashikon heqjen e sanksioneve, një kërkesë e kahershme e Iranit.
Edhe kreu i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, e kritikoi ofertën amerikane, duke e cilësuar të njëanshme dhe të papranueshme. Sipas tij, “asnjë njeri me mendje të shëndoshë nuk mund ta pranojë një marrëveshje që nuk përfshin heqjen e sanksioneve”.
Pengesa kryesore: Uraniumi
Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Omani, kanë nisur që prej prillit dhe kanë ngecur kryesisht për shkak të çështjes së pasurimit të uraniumit. SHBA kërkon që Irani ta ndalojë plotësisht këtë proces, ndërsa Teherani ngul këmbë se ka të drejtë për pasurim për qëllime paqësore, sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Teherani paralajmëron për shkëputje me IAEA
Ndërkohë, Irani ka kërcënuar se do të ulë nivelin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), nëse sot në Vjenë miratohet një rezolutë kritike ndaj programit të tij bërthamor.
“Nëse miratohet një vendim i tillë, IAEA nuk duhet të presë vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë me Iranin,” tha zëdhënësi i Agjencisë Iraniane të Energjisë Atomike, Behrouz Kamalvandi.
Sipas burimeve diplomatike, SHBA dhe vendet evropiane po përgatiten të propozojnë një rezolutë që do të përfshijë edhe mundësinë e referimit të çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Irani, i cili prej kohësh mohon se po kërkon të ndërtojë armë bërthamore, insiston se programi i tij është ekskluzivisht për qëllime paqësore, ndërsa kërkon heqjen e sanksioneve në këmbim të garancive.
aaaaa