Viktima pjesëmarrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit e njohur me kodin V296/06, ka ndërruar jetë.
Kjo është bërë e ditur në një parashtrim të mbrojtësit të viktimave, që i është dorëzuar trupit gjykues më 5 qershor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kjo viktimë ishte pranuar që të marrë pjesë në procedura më 21 prill 2021 nën pretendimet për dëm mendor si viktimë indirekte e burgimit/arrestimit të paligjshëm, ndalimit dhe trajtimit mizor, vrasjes dhe zhdukjes me forcë.
Gjithashtu, kjo viktimë e kishte statusin e dëshmitarit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas parashtrimit, për vdekjen e viktimës, mbrojtësi i viktimave ishte informuar nga një i afërm të ngushtë që dëshiron të vazhdojë procesin e kësaj viktime.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
aaaaa