string(109) "gjykimi-per-aksidentin-me-fatalitet-me-2023-bashkeshortja-e-viktimes-thote-se-nga-kepucet-e-njohu-se-ishte-ai"

Lajme

Gazeta Express

09/06/2025 12:28

Gjykimi për aksidentin me fatalitet më 2023, bashkëshortja e viktimës thotë se nga këpucët e njohu se ishte ai

Lajme

Gazeta Express

09/06/2025 12:28

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë para gjykatës ka dhënë dëshminë gruaja e viktimës F.B., dëshmitarja V.B., në rastin ku Vullnet Gashi po akuzohet për aksidentin me fatalitet që ndodhi në dhjetor të 2023-ës. Ajo tha se viktimën e njohu nga këpucët.

Në këtë rast, Vullnet Gashi akuzohet se shkaku i aksidentit të shkaktuar në dhjetor të 2023-ës në Prishtinë, F.B- si këmbësor kishte ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”

Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Kushtrim Zeka, dëshmitarja V.B., tha se ditën kritike bashkëshorti i saj ishte nisur drejt një dyqani në anën tjetër të rrugës, ku sipas saj edhe kishte kaluar dy shirita të rrugës, por në shiritin për autobus i ishte bllokuar pamja nga një automjet në rrugë.

Sipas saj, pas pak kishte vërejtur një veturë të ndihmës së shpejtë e cila kishte mbërritur me shpejtësi.

Ajo tha se kishte provuar ta merrte në telefon bashkëshortin e saj, mirëpo askush nuk ishte përgjigjur. Tha që kur pa personin që po e bartnin me autoambulancë, nga këpucët e njohu se ishte bashkëshorti i saj.

“Në moment kur e kanë futur karrocën e ndihmës së shpejtë, e kam njoftë prej këpucëve që janë të bashkëshortit tim”, tha V.B.

Në vazhdimin e dëshmisë së saj, dëshmitarja V.B., tregoi se përsëri kishte provuar të merrte në telefon bashkëshortin e saj, mirëpo sipas saj, në telefon i ishte përgjigjur një zë femre e cila e kishte njoftuar se bashkëshorti i saj ishte goditur nga një veturë.

“Në zilen e fundit u paraqit një zë femre në telefonin e bashkëshortit edhe më tha më falni a jeni vajza, gruaja apo motra e F.B. Unë i thash jam gruaja çka ka ndodh, ajo më tha bashkëshorti juaj është goditur rëndë me veturë është në spital edhe nuk muj me të dhanë ma shumë detaje për gjendjen e tij. Ai gendet në spital në QKUK”, tha V.B.

Dëshmitarja tregoi para Gjykatës se kishte mbërritur në QKUK, ku ishte njoftuar për gjendjen e bashkëshortit të saj, i cili ishte me intubim.

Sipas saj, disa mjekë i kishin thënë se bashkëshorti i saj kishte mbërritur pa shenja jete në spital, por që ai ishte rikthyer dhe i ishte vendosur aparatura për ta mbajtur me oksigjen.

Atëherë, dëshmitarja tha se pasdite kishin marrë lajmin se bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë.

Në fund, mbrojtja e të akuzuarit Gashi, avokatët Driton Muharremi dhe Bajram Dili kërkoi që në seancën e radhës të ftohet për t’u dëgjuar eksperti i komunikacionit i cili e ka përpiluar ekspertizën.

Gjyqtarja e rastit, Naime Krasniqi-Jashanica pasi e aprovoi kërkesën e mbrojtjes, seancën e sotme e ndërpreu dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taksive, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve të rrugës, gjendjes dhe llojit rrugës në mënyrë që të ndalë mjetin para çdo pengese që mund të paraqitet, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B., ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë (drejtimi i lëvizjes së automjetit), në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion dhe me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore e godet tani të ndjerin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.

Aktakuza thotë se Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023, tregon se vdekja e tani të ndjerit F.B., është e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë, ku tregohen edhe lëndimet trupore që kishte marrë tani i ndjeri si pasojë e aksidentit.

Me këtë, i pandehuri Vullnet Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. 

aaaaa