Zyrtari policor Alban Rashiti, ka rrëfyer për ngjarjen e natës kritike të 24 shtatorit 2023, në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa vetë Rashiti kishte pësuar disa plagë. Ai tregoi se si arritën t’i mbijetonin të shtënave atë natë dhe si ndodhi e gjithë ngjarja ku mbeti i vrarë Bunjaku.
Fillimisht, Rashiti tha se më 23 shtator 2023 kishin filluar punën në orën 08:00 të mëngjesit dhe se ndërrimi me pjesëtarët tjerë ishte bërë në fshatin Izvor mbi Banjskë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kemi qëndruar aty deri në ora 14:00, gjithçka ka qenë në rregull. Pastaj, është bërë ndërrimi nga kolegët dhe kemi shku në bazën në Kushllovë të Vllahisë, deri në ora 20:00 kemi qëndruar në gjendje gatishmërie”, tha Rashiti.
Sipas tij, informatën e parë e kishin marrë për një veturë të dyshimtë, një orë pasi ishte bërë ndërrimi- pra në orën 21:00. Informacioni u kishte ardhë nga dhoma komanduese, ku u ishte thënë se në rrugën e Izvorit është një veturë e parkuar në një livadh.
Atë informacion, ai tha se dhoma komanduese e kishte marrë nga Njësia për Reagim të Shpejtë, të cilët u kishin thënë se ajo veturë është e dyshimtë.
“Ne e kemi pranuar informatën dhe kemi filluar menjëherë me patrullën për këtë veturë të dyshuar. Kemi arritur ta lokalizojmë veturën, ajo ka qenë aty në një livadh në një rrugë afër disa shtëpive. Me neve ka qenë njësia kufitare”, tha Rashiti.
Polici tha se vetura në fjalë ishte e tipit “Jeep”. Kurse, kolegët e njësisë kufitare e kishin bërë identifikimin e targave. Tha se nga dhoma komanduese u ishte konfirmuar se për atë veturë nuk ka të dhëna në sistem.
Më pas, Rashiti tha se nga kolegët e vijës së gjelbër u është thënë se vetura është e njohur për ta dhe se pronari nuk ka asgjë të dyshimtë. Por, pronari që jetonte aty afër, e kishte lënë veturën në atë vend dhe kishte shkuar në shtëpi.
“Ne i kemi bartë këto informata dhe jemi larguar pasi nuk kemi pa diçka të dyshimtë”, tha Rashiti.
Dëshmitari tha se më pas më 24 shtator 2023 ishte bërë ndërrimi i stafit që patrullonin në atë pjesë. Pas kësaj, tha se bashkë me kolegët Çlirim Shaqiri dhe Mirsad Kryeziu, kanë vazhduar nga Izvori për të kaluar në Banjskë e më pas për të dalë në rrugën kryesore dhe për të shkuar në bazë.
Rashiti tha se me të arritur te ura, në anën e djathtë e cila të dërgon në fshatin Banjskë, kanë vërejtur dy kamionë me peshë të rëndë, të cilët kishin barrikaduar urën. Pra, ishin të parkuar mbi urë paralel.
Sipas tij, aty kanë shikuar nëse ka diçka të dyshimtë, por që nuk kanë parë persona duke lëvizur. Tha se e kishin lajmëruar dhomën komanduese, mirëpo për shkak të problemeve nuk kishte kaluar lidhja.
“E kemi parë të arsyeshme me lëvizë nga ai lokacion në tjetrin, që me informu dhomën se çfarë ka ndodh dhe me pa nëse ka ndonjë pengesë tjetër apo barrikadë”, tha Rashiti.
Pasi kishin dhënë informatën, polici thotë se u ishte kërkuar që të kthehen në vendngjarje dhe një foto si dëshmi për të parë se çfarë po ndodhte.
“Jemi kthyer në hyrje të fshatit, veturën e kam parkuar dku 30 metra larg kamionëve. Aty na është thënë se dy njësi janë dërguar në drejtim tuaj për asistencë që nuk kanë qenë totnat, por të Zveçanit”, tha Rashiti.
Sipas tij, me të dalë nga vetura me kolegët, janë dakorduar që Çlirimi të rri pranë veturës, ndërsa ai dhe Mirsadi u afruan pranë kamionëve për të parë se a ka diçka të dyshimtë.
Ai tha se 20 minutna kanë bërë patrullim aty dhe se nuk ka pasur diçka të dyshimtë. Aty tha se kishin arritur edhe dy vetura policore.
“Kanë qenë gjashtë policë, ku ndër ta ka qenë edhe rreshteri i ndjerë Afrim Bunjaku. Mirsadi ka komuniku me policët dhe rreshterin. Më pas ata vazhduan në drejtim të kamionëve me shiku për së afërmi se mos po ka diçka me na dhanë një sqarim se çka po ndodh aty”, tha Rashiti.
Ai shtoi se i kujtohet që rreshteri Bunjaku kishte shkuar aty dhe ishin përshëndetur, ku ishin konsultuar që të shpërndahen për të qenë në gjendje gatishmërie, pasi mund të ketë diçka me rrezikshmëri për ta.
“Gjendja në fshat ka qenë pothuajse absolute pa asnjë lëvizje dhe që nuk është e zakonshme. Momenti që ka ardhë rreshteri Afrim siç e përshkruva në ato qaste, jam largu 3-4 metra nga e majta, ka ndodh një shpërthim i papritur dhe e kam kuptu që jam plagos në krahun e majtë. Ka qenë shpërthim shumë i madh, pothuajse në mesin tonë nuk e kemi ditë nga ka ardhë, por e di që kur e kam kthy kokën kam pa tym të zi dhe zjarr dhe e kam pa që jam goditur me armë”, tha Rashiti.
Ai deklaroi se ishte munduar të kthehet në gjendje gatishmërie dhe se përsëri kishte ndodhur një shpërthim.
“Saqë rryma e ajrit më ka goditë përtoke qaq i madh ka qenë shpërthimi. Në momente sekondash ka fillua gjuajtje me armë zjarri. Kur kanë fillu gjuajtjet kemi kuptu që ka gjuajtje nga i tërë fshati me 10 pozicione, ka pas gjuajtje me armë apo kalibra të ndryshëm”, u shpreh Rashiti.
Polici tha se kishin filluar t’iu kundërpërgjigjen gjuajtjeve, më pas e kanë lokalizuar se nga po vinin ato gjuajtje.
“Por, kur e ktheva kokën e pash që rreshteri mbeti i shtrirë në tokë me shpinë, i gjakosur, i palëvizshëm. Me Mirsadin kërkuam nga Çlirimi që ta sjellë veturën aty dhe ta tërheqim rreshterin nga vendi sepse në atë vend kishte gjuajtje tërë kohës”, tha Rashiti.
I njëjti theksoi se pasi u nis drejt tyre Çlirimi, kishin filluar gjuajtjet nga anë të ndryshme, duke e bërë veturën të palëvizshme, ku panë që nga motori po rridhte vaji dhe uji i motorit.
Më pas, tha se polici Mirsad i kishte kërkuar të gjuante dritat- për të krijuar errësirë, ngase predhat vinin në drejtim të tyre dhe se ishin në pozicion të pafavorshëm. Andaj, kithin prishur 2-4 drita.
Aty tha se u është kërkuar të mbulojnë me zjarr, por që ai nuk u kishte treguar se ishte i plagosur sepse Bunjaku ishte më keq.
“E kam mbulu me zjarr Mirsadin që ai me shku te vetura tjetër dhe me sjellë veturën ku ishte rreshteri që me e heq. Ashtu edhe ka ndodh. Kur e ka afru veturën, apet kanë gjuajt. Kemi arrit me shti rreshterin në veturë dhe me dy kolegët jemi nis në drejtim të rrugës kryesore me vazhdu për ndihmë mjekësore”, tha Rashiti.
Polici tregoi se të shtënat vazhduan edhe pasi u nisën, ku predhat ua shpërthyen gomat. Megjithatë, kishin arritur të largohen.
Rashiti tha se e kishte parë një dron duke përcjellë lëvizjet e tyre. Tha se pasi që gjendja po rëndohej kishin kërkuar të bashkohen në një pikë me kolegët.
Ai deklaroi se kishin parë më pas lëvizje të dyshimta, ku personat në fjalë po afroheshin në urë dhe se aty kanë filluar sërish ballafaqimin deri kur kanë arritur zyrtarët tjerë për ndërhyrje të shpejtë me mjete të blinduara.
Polici thotë se atë e kishin futur në mjetin e blinduar për të shkuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Tha se kishte marrë plagë nga goditja e minës, kishte plagë në krahun e majtë në pjesën prapa.
“Kam pas goditje, ajo pesha ka arrit e dalë në kraharor para, prapë është fut në pjesën e gjoksit dhe është ndal në pjesën afër zemrës. Një goditje tjetër kam pas në këmbën e djathtë në pjesën e brendshme. Pra, të dyja kanë qenë plagë të hapura. Në pjesën e shpinës kamë pas një goditje tjetër, por fati i mirë është ndalur nga antiplumbi”, tha Rashiti.
Ai shtoi se edhe një predhë tjetër e kishte godtur në pjesën e mesit, por nuk i kishte shkaktuar lëndime, ngase ishte mbrojtur nga antiplumbi.
“Saktësisht, vendi ku ka ndodh shpërthimi është pak metra pas kamionëve. Rreshteri ka mbetur i shtrirë në pjesën hyrëse të urës në anën e djathtë të rrugës”, tha Rashiqi.
I pyetur nëse ka arritur të identifikojë burimin e të shtënave, ai tha se shpërthimi i parë kishte ardhur nga ana e majtë, i dyti nga para- në drejtim të fshatit Banjskë. Tha se gjuajtje kishte nga i tërë fshati.
“Por, vlen të theksohet se ka qenë një snajperist që ka gjuajt tërë kohën dhe pozicioni i tij ka qenë shumë i rrezikshëm për neve dhe ai pozicion nuk ka qenë nga gjithkush por ka qenë ushtarak pasi që gjithçka ka qenë e koordinuar sepse gjuajtjet kanë qenë me predha të ndryshme shumë afër nesh”, tha Rashiti.
Sipas tij, dihet që ato përgatitje, armë e formacione, nuk i kanë disa terroristë apo persona- grup i thjeshtë, por përdorimi i tyre duhet të ketë trajnim të caktuar, ngase gjithçka ka qenë e koordinuar.
Sipas tij, personat që shtinin në drejtim të tyre kishin pasur një plan të përgatitur mirë dhe se ishte grup kriminal i strukturuar shumë mirë me njohuri të mira rreth armëve, ngase kishte pasur gjuajtje edhe me raketahedhës.
“Me gjuajt me të duhesh me qenë i kualifikuar për me përsos atë mjet”, shtoi ai.
Rashiti theksoi se pajisje të pazakonta ka qenë droni që i kishte vëzhguar tërë kohën, vend-ndriçimi dhe lëvizjet e tyre, por që nuk mund t’i identifikojë sepse ata kanë qenë të pozicionuar mirë dhe kanë qenë të përgatitur.
“I kam parë vetëm lëvizjet, por jo (nuk mundem) me i identifiku, pasi që ka qenë lëvizje dhe errësirë”, tha Rashiti, duke shtuar se nuk mund të thotë me saktësi se ishin të uniformuar.
Rashiti tha se intervali kohor mes dy shpërthimeve ishte shumë i shkurtër- çështje sekondash.
Mbrojtësit e tre të akuzuarve nuk patën pyetje për dëshmitarin pasi të mbrojturit e tyre nuk janë përmendur nga dëshmitari. Andaj, sipas tyre, dëshmia e Rashitit nuk ka të bëjë asgjë me Toliq, Maksimoviq dhe Spasojeviq.
Gjykatësi Arben Hoti e pyeti dëshmitarin, i cili pasi tha se në një moment personat që po shtinin me armë kanë shtënë në drejtim të tyre, a ka qenë rrezik se po afroheshin shumë dhe a kishte frikë se do zihej.
“Në momentin që është largu rreshteri Afrim Bunjaku aty kemi qenë me numër tre policë më pak. Droni ka qenë duke na vëzhgu, na kanë pa pozicionin, kemi qenë më pak në numër dhe një polic është plagos”, tha Rashiti.
Sipas tij, kur është bërë ndërrimi, nga rruga është parë që ata gjuanin dhe fshiheshin pas shtëpive. Pra, sipas tij, kishin qenë në pritë dhe në pozicion të keq dhe është dashtë me as kujdes sepse kanë qenë vendbanime me fëmijë.
Të shtënat, polici thotë se kanë qenë pa ndalë, kanë gjuajtur me pushkë automatike pa ndërprerë dhe përpos kësaj kanë vërejtë se kishte edhe snajperë.
aaaaa