Dhjetë ditë pas rrëshqitjes masive të dheut që e fshiu nga harta fshatin Blatten në kantonin Valais, pyetjet mbi të ardhmen e tij mbeten të shumta dhe pa përgjigje të qarta. Megjithëse autoritetet kanë premtuar rindërtim, sfidat përpara janë të mëdha – që nga sigurimi i një vendndodhjeje të re jashtë zonave të rrezikut, e deri te ruajtja e ndjenjës së komunitetit që një tragjedi e tillë kërcënon ta copëtojë, shkruan RTS.
“Blatten ka ende një të ardhme. Do të kthehemi atje,” deklaroi menjëherë pas katastrofës presidenti i bashkisë, Matthias Bellwald. Por, përballë një harte të rrezikut që klasifikon pothuajse të gjithë Lötschental-in si zonë të kuqe, fjalët e tij përballen me realitetin e pamëshirshëm të natyrës dhe kufizimeve ligjore.
Këshilltari Federal Albert Rösti e bëri të qartë se asnjë plan rindërtimi nuk do të miratohet në zona të kuqe, pavarësisht ndonjë përjashtimi të mëparshëm në zona të tjera të Valais. Kjo e lë të hapur vetëm mundësinë e gjetjes së një vendi të ri jashtë zonave të ndaluara, diçka e vështirë në një terren të pjerrët dhe me pak hapësirë të sigurt.
Eksperti i rreziqeve natyrore, Andreas Zischg, ofron një dritë shprese: ndërtimi i strukturave mbrojtëse – si mure kundër ortekëve apo barriera kundër rrëshqitjeve – mund të ulë rrezikun në disa zona të kuqe në një nivel të pranueshëm. Por ky është një proces që kërkon analiza të gjata dhe investime të mëdha, dhe një zgjidhje përfundimtare mund të vonojë deri në dhjetë vjet, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, këshilltari kantonal Beat Rieder, i cili jeton në luginë, paralajmëron: “Nëse zhvendosemi brenda dhjetë vjetësh, popullsia nuk do të jetë më atje.” Ai kërkon një proces të përshpejtuar, duke sugjeruar që një zgjidhje provizore ose e pjesshme të arrihet brenda një viti.
Shembulli i Gondos, i shkatërruar nga një rrëshqitje balte më 2000, ofron një narrativë shprese. Aty, pavarësisht 13 viktimave dhe largimit të shumë banorëve, komuniteti u ringrit me ndihmën e donacioneve dhe përkushtimit lokal. “Ne e paguam shtrenjtë, por u kthyem,” thotë Rolf Gruber, një banor që ka jetuar për dekada në fshat.
Sot, Gondo është ende i vogël, me vetëm 75 banorë, por ka ruajtur zemrën e vet kolektive. Për kryetarin e fshatit, Daniel Squaratti, rikthimi ishte më shumë se rindërtim fizik – ishte një akt identiteti: “Blatten nuk është vetëm një vend – është një ndjenjë”.
Një grup koordinimi është krijuar për të vlerësuar mundësitë dhe për të udhëhequr rindërtimin. Por të gjitha sytë janë tani te kantoni i Valais, autoritetet federale dhe komuniteti lokal, për të parë nëse Blatten do të ndjekë rrugën e Gondos, apo do të mbetet një kujtim i dhembshëm i rrezikut malor.
aaaaa