Zyrtarët iranianë e kanë zgjeruar ndalimin e shëtitjes së qenve në një sërë qytetesh në të gjithë vendin, duke përmendur shqetësime për rendin publik, shëndetin dhe sigurinë.
Ndalimi, i cili pasqyron një urdhër të policisë të vitit 2019 që ndalonte shëtitjen e qenve në kryeqytet, Teheran, është zgjeruar në të paktën 18 qytete të tjera javën e kaluar. Transporti i qenve në automjete është gjithashtu i ndaluar me ligj, raporton BBC
Zotërimi i qenve është kundërshtuar me ashpërsi në Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, me qentë që shihen si “të papastër” nga autoritetet dhe një trashëgimi e ndikimit kulturor perëndimor.
Por, pavarësisht përpjekjeve për ta dekurajuar atë, pronësia e qenve po rritet, veçanërisht midis të rinjve, dhe kjo shihet si një formë rebelimi kundër regjimit kufizues iranian.
Qytetet, përfshirë Isfahanin dhe Kermanin, kanë futur ndalime ditët e fundit, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Megjithatë, zbatimi i kufizimeve në të kaluarën ka qenë i fragmentuar, ndërsa shumë pronarë qensh vazhdojnë t’i shëtisin qentë e tyre në publik në Teheran dhe pjesë të tjera të Iranit.
Nuk ka asnjë ligj kombëtar që ndalon plotësisht pronësinë e qenve, por prokurorët shpesh lëshojnë kufizime lokale që zbatohen nga policia.
Ka pasur raste kur pronarët janë arrestuar dhe qentë janë konfiskuar për shkak se janë shëtitur në publik.
Shumë prej tyre kanë filluar t’i shëtisin qentë e tyre në zona të izoluara natën ose t’i çojnë me makinë për t’i shpëtuar zbulimit.
Zotërimi i një qeni, sfidimi i ligjeve të detyrueshme të hixhabit në Iran, pjesëmarrja në festa të fshehta dhe pirja e alkoolit kanë qenë prej kohësh forma të rebelimit të heshtur kundër regjimit teokratik të Iranit.
aaaaa