string(67) "opozita-shpall-fitore-ne-kosjeriq-te-serbise-qeveria-nuk-deklarohet"

Gazeta Express

08/06/2025 22:33

Opozita shpall fitore në Kosjeriq të Serbisë, Qeveria nuk deklarohet

Gazeta Express

08/06/2025 22:33

Opozita në Kosjeriq, komunë në perëndim të Serbisë, ka shpallur fitore në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën, ndërsa Qeveria nuk është deklaruar ende.

Përfaqësuesit e listës “Të bashkuar për Kosjeriqin” kanë thënë se janë duke udhëhequr, sipas të dhënave nga 27 prej 29 qendrave të votimit.

Zgjedhjet lokale në Kosjeriq dhe Zajeçar, komunë në jug të shtetit, janë testi i parë zgjedhor për Qeverinë prej nisjes së bllokadave të studentëve nëpër fakultete, në nëntor të viti 2024, të nxitura nga vdekja e 16 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Në të dyja këto komuna, prej vitesh, është në pushtet Partia Përparimtare Serbe (SNS), e themeluar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Deri në orën 19:00 kanë votuar 82 për qind e votuesve në Kosjeriq, dhe 59.6 për qind në Zajeçar, sipas misionit vëzhgues Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA).

Mbështetësit e listës opozitare “Të bashkuar për Kosjeriqin”, janë mbledhur para ndërtesës komunale ku janë duke u numëruar votat. Ata janë dëgjuar duke bërtitur “Fitore” dhe “U krye çdo gjë”.

Edhe banorët e Zajeçarit kanë dalë në qendër, në pritje të rezultateve zgjedhore.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 në të dyja komunat, dhe janë mbyllur në orën 20:00.

Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka thënë gjatë ditës se në disa qendra votimi në Kosjeriq “ka pasur tentime për të bllokuar ilegalisht qendrën e votimit, dhe për të penguar procesin zgjedhor”, mirëpo që “ato janë shmangur në përputhje me ligjin”.

“Zyrtarët policorë nga stacioni policor në Kosjeriq janë duke vepruar pas raportimeve nga presidenti i Komisionit të Zgjedhjeve se në qendrën e votimit 22, në fshatin Dërmanovina, vëzhguesi Veselin Ristanoviq, duke përfaqësur listën ‘Të bashkuar për Kosjeriqin’ e ka djegur listën e votimit për personat që mund të votojnë nga shtëpitë. Policia është duke punuar në këtë rast”, është thënë në deklaratën policore pasditen e së dielës.

Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) ka thënë se ka raportuar në polici se disa vëzhgues të organizatës në Kosjeriq kanë pranuar kërcënime dhe provokime përmes thirrjeve telefonike.

Në Zajeçar kanë garuar tetë lista elektorale, ndërsa në në Kosjeriq vetëm tri.

Në Kosjeriq kanë garuar listat: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Partia ruse – Serbia në BRICS, Sllobodan Nikoliq” dhe “Të bashkuar për Kosjeriqin”.

Në Zajeçar kanë garuar këto lista: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Ndryshimi që e besojmë në Ugljesha Gjuriçkoviq, Dragana Rashiq”, “Të bashkuar për të ruajtur Zajeçarin, Mirko Jellenkoviq, Milladin Kërstiq”, “Doktor Nenad Ristoviq – Vendas për Zajeçarin”, “Ivica Daçiq – SPS – Të vendosur për Zajeçarin”, lista minoritare “Koalicioni për Serbinë Lindore – Sasha Radulloviq Gërlanac”, “Ne, Forca e Popullit – profesor Branimir Nestoroviq” dhe “Serbët Liberalë – Vlladimir Kovaçeviq”.

Ndonëse në parim nuk dukeshin zgjedhje shumë të rëndësishme, fushata zgjedhore në dy komunat është përcjellë nga incidentet, përleshjet mes mbështetësve të Qeverisë dhe opozitës dhe sulmeve ndaj ekipeve të gazetarëve.

Pavarësisht se kanë pak banorë, ato janë kthyer në një temë të rëndësishme javëve të fundit dhe në destinacione të domosdoshme vizitash për zyrtarët e lartë shtetërorë, përfshirë edhe vetë Vuçiqin./Radio
Evropa e Lirë

aaaaa