Kilchberg dhe Le Locle ilustrojnë dy realitete të skajshme në tregun zviceran të banesave, njëra për elitën globale, tjetra për gjuetarët e ofertave
Nga lartësitë panoramike të Kilchberg në brigjet e Liqenit të Cyrihut, deri te qetësia industriale e Le Locle në Malet Neuchâtel, tregu i pasurive të patundshme në Zvicër ndan dy realitete kontradiktore. Në njërën anë, luks milionësh dhe kërkesë e lartë nga investitorë ndërkombëtarë. Në tjetrën, çmime të ulëta dhe ndërtesa që presin rilindjen urbane, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Në Kilchberg, Claudio dhe Ingila Baumann menaxhojnë prona që shkojnë deri në 35,000 franga për metër katror. Një papafingo dupleks me pamje madhështore nga liqeni ofrohet për më shumë se tetë milionë franga. Apartamente me kopsht dhe pesë dhoma arrijnë në 4.8 milionë. Klientët? Një miks ndërkombëtar dhe vendas me pasuri të konsiderueshme, që shpesh kërkojnë diskrecion të plotë – aq sa as nuk paraqiten personalisht në aktin e blerjes.
Ndërkohë, në Le Locle, Sadry Ben Brahim shet një papafingo të bollshme për vetëm 625,000 franga. Me tre vende parkimi, tarracë dhe 202 metra katrorë, prona qëndron prej muajsh në treg. Çmimet aty janë aq të ulëta, sa shumë blerës zhvendosen nga qytete si Neuchâtel për të përfituar nga oferta që përndryshe do të ishin të paarritshme.
Por ndryshimi nuk është vetëm ekonomik, është edhe strukturor. Kilchberg ofron shkolla ndërkombëtare, lidhje të shpejta me Cyrihun dhe Zugun, dhe është bërë një magnet për profesionistët e sektorit të teknologjisë dhe financës. Le Locle, në anën tjetër, mbetet e varur nga industria e orëve dhe përballet me sfida të mëdha infrastrukturore dhe imazhi publik.
Megjithatë, po fryjnë erëra ndryshimi. Me ndërtimin e një tuneli modern që do të ulë ndjeshëm trafikun kalimtar deri në vitin 2032, Le Locle synon një ringjallje. Planet për rivitalizimin e qendrës dhe investimet në infrastrukturë, si rinovimi i pishinës historike komunale, dëshmojnë për ambicien e qytetit për të tërhequr më shumë banorë dhe turistë.
E ardhmja? Mbetet për t’u parë. Por historia e Kilchberg dhe Le Locle është një reflektim i realitetit më të gjerë të Zvicrës: një vend me ekuilibër të jashtëzakonshëm midis luksit të përqendruar dhe potencialit të fshehur. Dhe ndërsa çmimet në breg të liqenit mbeten të paarritshme për shumicën, qytete si Le Locle ofrojnë një kujtesë se vlera nuk matet vetëm me franga për metër katror – por edhe me potencialin për ndryshim.
aaaaa