Fronti Euorpian është në komunikim me forcat politike atdhetare e konstruktive në vend me të cilët janë duke ndërtuar strategji për veprim dhe janë fort të përcaktuar që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato parlamentare, tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti në festimin e 23-vjetorit të partisë.
“Kërkojmë që kjo të ndodhë sepse shpëtim për ne, dhe për të pasur dhe krijuar stabilitet politik, rrugëdalja e vetme është zgjedhjet e përgjithshme të mbahen bashkë me ato lokale”, tha Ali Ahmeti, Kryetar BDI – FE.
Kësaj kërkese VMRO-DPMNE-ja sot iu përgjigj kështu:
“Ajo është vetëm kërkesë për një gomë shpëtimi për rejtingun e BDI-së që fundoset me shpejtësi”, shtoi Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Po Ahmeti mbrëmë kishte mesazh të veçantë për DPMNE-në, të cilët i quajti oponentë politikë, duke u thënë se i dinë strategjitë që i ndërton VMRO-ja, për të cilat tha se nuk janë të mira. U kërkoi që të mos harrojnë se kushdo që është matur me BDI-në, ka pësuar humbje.
Akuzat e përditshme të pushtetit aktual ndaj BDI-së për korrupsion dhe vjedhje, kreu i integristëve i quajti pallavra dhe i ftoi që të bëhet vetting, duke hapur hetime mbi prejardhjen e pasurisë së të gjithë politikanëve dhe zyrtarëve në vend.
“Urdhëroni të hapim hetime mbi privatizimin, si ndodhi privatizimi në këtë shtet nga viti ’91 e deri në 2001. Unë nuk them të fillojmë nga Kritijani! Nga unë të fillohet! Kristijan mos u frikëso ti!”, theksoi Ali Ahmeti, Kryetar BDI – FE.
Porosi kishte edhe për koalicionin VLEN, apo siç i quajti “ata që presin te mensa”.
“Këta tanët, te mensa e studentëve, bëjnë mirë të ndjekin shembullin e Arben Taravarit. Kur e pa ai se si degradohet çështja shqiptare, kur e pa se çfarë gozhda të arkivolit i vendosin marrëveshjes së Ohrit, institucione që bashkëpjesëmarrës janë edhe tanë aty, ai e braktisi”, tha Ali Ahmeti, Kryetar BDI – FE.
Ahmeti po ashtu kishte thirrje edhe për bashkëqytetarët maqedonas, që të mos bien pre e atyre që përpiqen t’i frikësojnë kinse shqiptarët dashkan ta ndajnë Maqeoninë.
aaaaa