Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar rreth krizës politike në vend me mos konstituimin e Kuvendit, duke thënë se mungesa e koordinimit kombëtar mbi çështjet kritike strategjike po e kërcënon jo vetëm hartimin e politikave koherente, por edhe legjitimitetin afatgjatë të vetë shtetit, shkruan Gazeta Express.
Deputetja më tej ka shtuar se inatet sipas saj, të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, bashkë me mungesën e vizionit politik po shpërfaqin pasojat më të shëmtuara të mungesës së konsensusit politik kombëtar.
‘‘Situata e krijuar po nxjerr në pah se edhe në një demokraci parlamentare, një person mund t’i mbajë peng të gjitha institucionet demokratike duke e bllokuar kështu politikën e Kosovës në një cikël populizmi dhe improvizimi. Çdo gjë është shndërruar në një spektakël; çdo propozim trajtohet si i ricikluar, çdo përpjekje institucionale shpërfillet si naive’’, ka thënë ajo mes tjerash.
Musliu në reagimin e saj ka dhënë idenë e krijimit të një Këshilli Ndërpartiak të Politikave Kombëtare.
‘‘Mandati: Të ofrojë konsultime të strukturuara, konfidenciale dhe jo-detyruese mbi çështjet kryesore kombëtare – dialogun me Serbinë, reformën e sundimit të ligjit, integrimin evropian, politikat arsimore dhe jo vetëm; Përbërja: Një përfaqësues nga secila parti parlamentare, i rinovueshëm me secilën legjislaturë, i kryesuar në një bazë rotative gjashtëmujore; Korniza: Mbështetur nga një sekretariat i integruar brenda Kuvendit ose Presidencës për të siguruar vazhdimësinë dhe memorien institucionale; Masat mbrojtëse: Mbledhjet të mbahen jashtë protokollit(kjo mund të shqyrtohet për shkak të transparencës), me procesverbale të arkivuara për llogaridhënie. Anëtarët të nënshkruajnë deklaratën për të evituar konfliktin e interesit’’, ka shkruar ajo. /GazetaExpress
aaaaa