Elizabeth Bruce Hardwick (1916 –2007), romanciere, tregimtare dhe kritike letrare amerikane. Robert Lowell (1917 – 1977), poet amerikan. Fitues i National Book Award, Pulitzer Prize për poezi më 1947 dhe 1974, National Book Critics Circle Award më 1977 si dhe National Institute of Arts and Letters Award më 1947.
LETRA E PARË
Elizabeth Hardwick për Robert Lowell
15 West 67th Street, New York, N.Y.
26 prill 1970
Loçkë: më pëlqeu që fola një çikëz me ty dhe mezi po pres të marr letrat e tua, të të dëgjoj në telefon të dielën. Telefonata më lehtësoi, ngase kishte një kohë të gjatë që s’flisnim dhe njeri në këso rrethanash vret mendjen, ndihet i veçuar dhe çuditshëm.
Po e shoh se e kam ngatërruar Sussexin me Essexin. Quentin Andersoni ishte në Sussex dhe megjithëse Jacku kishte pasur idenë që nuk kishte qenë aq e suksesshme, Quentini më tha se i kishte pëlqyer shumë.
Mendoj se duhet të shkojmë, nëse je i pajtimit meqë për një kohë ke qenë në ankth të kthehesh në Angli. Jam në merak rreth hollësive, si dhënien me qira të vendit tonë dhe të lë gjithçka në rregull këtu. Jam e sigurt se mund të gjejmë një vend të mirë në Londër. Dhe mendoj se duhet të marrin Nicolen, që do të donte, ma ha mendja, të shkonte. Kjo do të ishte një ndihmesë e madhe, për të gjithë ne, për Harrieten. Cal, ndiej se gjëja e mirë për të bërë një ndryshim do të ishte lirimi i Harrietes nga Daltoni. Ajo është “shoqërisht” më e lumtur këtë vit, por sistemi nuk i përshtatet tamam natyrës së saj. Është shtypës dhe i ankthshëm në një mënyrë të veçantë. Ato detyra të gjata mujore janë groteske. E kam shikuar Harrieten këtyre viteve të fundit dhe kam kuptuar se sa i përket kryerjes së punëve është më e lumtur është me gjëra si matematika ku ka detyra ditore. Mundet që jo gjithherë i bën mirë, por i bën posa që vjen në shtëpi, pastaj është e lirë nga fantazmat e punëve të pakryera. Dhe se nuk mund të mësosh asgjë te Daltoni, nëse nuk mëson vetë. Njeriu, nga ana tjetër, thjesht rropatet në punën për të cilën nuk ka prapavijë, shtiret, zhytet në konfuzion… S’do t’ia ketë ënda aq të largohet për një kohë, por jam e sigurt në zemrën time se ajo do të përmirësohet si studente. Kampi këtë verë do ta ndihmojë të bëjë një rregullim të ri.
Nga ana tjetër, ajo është shumë e bukur, duke praktikuar për recitalin e dancit modern, duke luajtur “Blowing in the Wind” dhe “Donna, Donna” në kitarë1, duke përdorur gjuhë të ndyrë, duke larë flokët, duke mbajtur një dietë të lehtë.
Kam qenë shumë e zënë me Harrieten, duke caktuar takime me mësues që të shoh çfarë problemi ka, duke u munduar ta mbërthej kështu që të mos ketë shkollë të shtunën – por javën e fundit e takova Bobin, Epseinët, pashë ca filma…
Një gjë groteske është planifikuar për të premten në Yale. Mbi 30.000 njerëz do të zbresin në New Haven për të demonstruar rreth gjyqit të Black Panther. (Ky ka të bëjë me Bobby Sealen dhe vrasjen e një informatori zezak2). Yale nuk ka pasur mësim gjithë javën, akomodimet janë duke u sistemuar. Brewsteri dha një deklaratë javën e kaluar, duke thënë se ai nuk mendon se Panthers mund të mos kenë gjykim të drejtë dhe duket se do të vazhdojë me mbylljen e Yales3. Kjo duket të jetë vërtet vetëvrasëse. Pajtohem se Panthers nuk mund të kenë gjykim të drejtë, por s’e kuptoj pse Yale, si shkollë, mund të përziejë veten në këtë. Për çka janë gjykatësit, avokatët, juritë. Të shikojnë demonstruesit dhe të ndalojnë gjykimin, t’i lirojnë ata? (Ka ndodhur një vrasje dhe gati se të gjithë mendojnë se dikush nga Panthers është përgjegjës – kush tjetër?). Çka ka lidhje këtu Yale nëse ka pasur dhunë? Mendoj se demonstrata është në rregull, por s’mendoj se universiteti duhet të duket se po promovon atë. Përnjëmend ndiej se nëse e duam Universitetin përnjëmend larg CIA-s, Departamentit të Mbrojtjes, atëherë nuk duhet ta përziejmë në punët e së majtës, sado që mësues individualë mund ta bëjnë këtë dhe studentët natyrisht duan ta bëjnë këtë. (E bëra lëmsh rreth asaj çka kam në mendje. Po tingëllon si editorial i New York Timesit. Shumë më i komplikuar, në të vërtetë). Harbim i njëmendtë në Harvard së fundmi4. Zoti e di për çfarë arsye. Prapë po të mos ishte për studentët, s’do të kishte protesta askund. Kohërat më të këqija, kohërat më të mira5.
Përndryshe, një ndjenjë ligështimi këtej, përgjithësisht. Pranverë… Do të shkojmë te Olga6 para mbarimit të muajit.
Loçkë, më duhet ta mbaroj dokumentet sot. Ai tipi do të vijë nesër. Jam e lumtur që do të jenë në njëfarë kaosi, tekefundit. Është e rëndësishme. Nëse na ndodh ndonjë gjë, kjo tekembramja do t’i lehtësojë gjërat. Nuk kam pasur kohë t’i lexoj letrat – mijëra e mijëra… Dhe sa dokumentet, por do të shkruaj një mori gjërash interesante. Nuk po shkapërdahem më shumë, “vajzat” a gjëra të tjera! Siç të thashë, kjo është thjesht të jemi bashkë. Shitja mund të jetë njëmend e pështjelluar, një punë e gjatë e zvarritur – kështu që mos u merakos!
Do të të shkruaj shpejt. Më fal për këtë letër burokratike. Më duhet të shkruaj ca sosh të mira për “fajlet”7.
Të dua, zemra ime, përgjithmonë,
E.
Nëse shkojmë në Angli, atëherë mund të shkojmë gjatë vitit në Francë, Skoci, Irland! Portugali!
P.S. I kam gjetur ca gjëra të Allenit – artikuj, recensione, etj., i kam telefonuar menjëherë dhe do t’ia dërgoj8. S’kisha pasur lajme nga ti për letrën e tij. I shkreti A., një bebe e vockël, me ethe, duke qarë në prapavijë9. Si na kthehen vitet! A. dhe H. Po shkojnë në Angli në maj.
LETRA E DYTË
Robert Lowell për Mrs. Robert Lowell
All Souls, Oxford, 27 prill 1970
Loçkë,
S’ia kam vënë mendjen kalendarit me javë të tëra; tash kalojnë tri sosh brenda një dite të vetme. Në mënyrën që do të mund të përfytyroje, All Souls është tepër i mirë për të qenë i vërtetë: dritaret në kopshtin e drejtorit të mbyllura, u zgjova nga e trokitura e një kamerieje, mantelin ma hoqën nga shpina në Commons dhe udhërrëfyesi im e ngjiti lart dy palë shkallëve deri te banesa ime, ushqim të mirë si te znj. Meyers*, letra të vulosura dhe të dërguara me postë për mua. Dhe anomalitë: rreth njëzë studentë zënë ndërtesa të mëdha si Quincy House, poshtë korridorit tim është një qeli me mbishkrimin Q. Hogg (ish kryeministri Konservator). Dhe natyrisht këtu ka njerëz që e njohin Churchillin, Gaitskellin dhe Attleen. Anomali të tjera: shkoja me mendjen se këtu s’mund të ketë shumë, por është si të jetosh vetëm me krem torte të moçëm. Seksi i dytë nuk ekziston në All Souls, ndihem përsëri dyzet vjeç, duke bërë pushimet në St. Mark*.
S’do të dëgjohem me profesor Edwardsin e Essexit deri nesër, por kam folur shkoqur me Isaiah dhe John Wain. Halli më i madh duket të jetë shqetësimi i demonstrimeve të studentëve, si Berkeley. Nga ana tjetër duke mos jetuar në qytet me gjasë do të ma mundësojë të kem angazhime dhe pa shqetësime. Davie mendon se departamenti është më i miri që ka parë ndonjëherë (e ka zgjedhur ai). Pothuajse të gjithë e kuptojnë nëse dikush dëshiron të largohet nga Amerika përkohësisht. Nëse duket se do ta pranojmë, mendoj se duhet të fluturosh për nja një javë të vish këndej, kur të mbarojë shkolla e H, pastaj vendosim ku të jetojmë. Shkolla e Harrietes së dashur. Jam i pakënaqur për shkak të problemeve të saj në shkollë; ato janë si të miat në moshën 13, 14 dhe 15, s’i përfillja sa duhet. Kam të njëjtin nam, por pothuajse askush nuk më konsideronte njeri të ndritur. Harriet është kokëfortësisht dhe humorisht e thellë – Zoti e ndihtë.
Duke jetuar në një familje ma bën më të lehtë të jem larg jush, por këtu më mungoni që të dyja çdo minutë. Mund të telefonoj për ty që të vish të flasim. Këtu ka shumë gjëra që pëlqej; është edukuese. Për çfarë?
Gjithë dashuri,
Cal
Shënime:
1) ‘Blowin’ in the Wind’, nga Bob Dylan; ‘Donna Donna’, këngë hebreje e incizuar nga Joan Baez (1960).
2) Nëntë anëtarë të Black Panthers, përfshir Bobby Sealen, gjykoheshin në New Haven për vrasjen e Alex Rackleyt. Hardwick i referohet Sealet në burg në ‘Militant Nudes’, New York Review of Books, më 7 janar 1971.
3) Joseph B. Treaster, “Brewster Doubts Fair Black Trials; Yale President Is ‘Skeptical’ That Revolutionaries Can Obtain Justice in U.S., (New York Times, 25 prill 1970.
4) Donald Johnson, “Damage Estimated at $100,000 After Harvard Riot”, “New York Times, 17 prill 1970.
5) “It was the best of the times, it was the worst of the times” (sentenca hapëse e Tregimit të dy qyteteve të Çarls Dikensit).
6) Shtëpia e Olga dhe Henry Carlisle, afër Roxburyt, Conecticut.
7) Hardwick: “Was that written for the archives? Who is speaking?” (“Writing a Novel”, New York review of Books, 18 tetor 1973).
8) Tate ia kishte bërë me dije Lowellit kthimin më 12 maj 1970: “Siç mund ta dish, Elizabeth e ka gjetur ‘materialin’ dhe ma ka dërguar. Ndjenjat e mia, natyrisht, janë qetuar. Ajo që më merakoste nuk ishte aq vonesa dhe anulimi i librit (njeriu mund të jetojë pa të) sa ajo që më dukej indiferencë nga ana jote rreth dyfishimit të mundshëm të artikujve. Po tash – varja. (Cituar te William Doreski, The Years of Our Friendship: Robert Lowell and Allen Tate.
9) Tate dhe gruaja e tij e tretë, Helen Heinz Tate, kishin tre fëmijë: binjakët John Allen Tate (1967) dhe Michael Paul Tate (1967-1968) si dhe Benjamin Tate (1969). Lowell kishte shkruar për vdekjen e Michaelit në Father and Sons, Notebook, 69-1 dhe -2.
/Marrë nga ‘The Dolphin Letters, 1970-1979 – Elizabeth Hardwick, Robert Lowell and Their Circle’, Ferrar, Strauss and Giroux, 2019
/Përkthimi: Gazeta Express
aaaaa