Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 27-të radhazi të konstituohet, duke thelluar krizën institucionale dhe polarizimin politik në vend. Pavarësisht pranisë së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa përfaqësuesve të pakicave, mungesa e pjesëmarrjes nga partitë opozitare ka pamundësuar zgjedhjen e kryetares së Kuvendit dhe vijimin e proceseve parlamentare.
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi prerazi se partia e tij nuk do ta votojë kandidaten e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, madje as përmes votimit të fshehtë. “Ne nuk jemi mekanizëm vote që me ardhë me votu kush të thotë çka të dojë,” tha Haziri, duke shtuar se LDK vepron në bazë të vullnetit të popullit dhe nuk përfshihet në “trafik votash” apo shantazhe politike.
Ndërkohë, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, mohoi se ka pasur ndonjë takim të fshehtë mes liderit të partisë së saj, Fatmir Limaj, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ajo hodhi poshtë edhe idenë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale njëkohësisht, duke e cilësuar si të paqëndrueshme dhe theksoi se kjo çështje është në kompetencë të Kushtetutës.
Në linjë të ngjashme, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kritikoi veprimet e Albin Kurtit dhe Agim Bahtirit për përpjekjet për sigurimin e votave, duke i cilësuar si të gabuara pritjet për mbështetje në një proces kaq të ndjeshëm. Ajo gjithashtu shprehu pakënaqësi për kohëzgjatjen e shkurtër të seancave parlamentare.
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, fajësoi direkt Albin Kurtin për dështimin e njëpasnjëshëm të konstituimit, duke e akuzuar se ka vendosur kandidaten Albulena Haxhiu si pengesë për formimin e institucioneve, për shkak të mungesës së votave.
Në një deklaratë për media, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se situata aktuale nuk e bën të domosdoshëm organizimin e zgjedhjeve të reja, duke lënë të kuptohet se ende ka hapësirë për zgjidhje brenda kornizës ekzistuese ligjore dhe politike. Sipas saj, nevoja për stabilitet institucional është më urgjente se një tjetër cikël elektoral që do ta thellonte më tej pasigurinë.
Nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni reagoi me akuza të drejtpërdrejta ndaj opozitës, duke i cilësuar mungesat në votim si bllokim të qëllimshëm dhe shkelje të Kushtetutës. “Partitë opozitare po refuzojnë me marrë pjesë në votim, duke bërë shkelje të Kushtetutës në një moment kyç për konstituimin e institucioneve. Ndërkohë që LVV me gjithë deputetët e saj dhe disa nga pakicat kanë qenë të pranishëm në 19 raste radhazi për të votuar,” theksoi ajo.
Situata në Kuvend ka krijuar një ngërç të paprecedentë, ku asnjëra nga palët nuk jep shenja të tërheqjes apo kompromisit.
aaaaa