Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur ndalim të menjëhershëm dhe të pacaktuar për importin e deleve dhe dhive nga Qarku i Shkodrës dhe Kukësit në Shqipëri, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta (Peste des Petits Ruminants – PPR) në këto rajone.
Sëmundja, e cila prek kryesisht ruminantët e vegjël si delet dhe dhitë, është raportuar së fundi në Qarkun e Shkodrës. PPR transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë midis kafshëve, ndërsa burim kryesor i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet e kafshëve të sëmura. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hundët, inflamacion të syve, humbje oreksi, diarre dhe në raste të rënda – ngordhje.
AUV thekson se sëmundja nuk është zoonotike dhe nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, por përhapja e saj mund të shkaktojë dëme të mëdha në blegtori.
Për të parandaluar futjen e sëmundjes në Kosovë, autoritetet kufitare do të shtojnë kontrollet në të gjitha pikat hyrëse nga Shqipëria. AUV, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të monitorojë nga afër situatën dhe do të informojë vazhdimisht fermerët dhe publikun për çdo zhvillim të ri.
Fermerët këshillohen të jenë vigjilentë dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë te veterinerët lokalë.
aaaaa