Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me presidenten Osmani dhe përfaqësuesit e partive politike për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, tha se për partinë e tij të gjitha datat janë të pranueshme.
“Për ne të gjitha datat janë të pranueshme, por preferenca jonë do të ishte sa më herët ose dy datat që i kanë propozuar si referencë pa i përjashtuar tjerat janë datat 19 tetor apo 12 tetor. Besoj që presidentja i ka marrë parasysh. Nuk ka shumë dallime te pjesa e datave. Pres që në ditët në vijim të dekretohet edhe kjo datë që do të na mundësonte më pas edhe shpalljen e kandidaturave”.
I pyetur për idenë e Vetëvendosjes që e shpalosi në këtë takim nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për mbajtjen e dy palë zgjedhjeve – atyre të jashtëzakonshme parlamentare dhe ato të rregullta lokale – Krasniqi tha se megjithëse kjo s’është zgjedhja e parë mund të bëhet e domosdoshme për shkak të kryeneçësisë së partisë që doli e para nga zgjedhjet e shkurtit.
“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një procesi kushtetues edhe nëse nuk është zgjedhja e parë as e partive as e qytetarëve mund të bëhet e domosdoshme”.
Krasniqi ka kritikuar mungesën e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në këtë takim, duke shtuar se mungesa e tij dhe e kryetarit të Listës Srpska la një “shije të keqe’
“Nuk ishte aspak e mirë ishte fakti që nga të gjitha partitë e ftuara vetëm kryetari i Vetëvendosjes dhe ai i Listës Srpska munguan apo e bojkotuan këtë takim. Mendoj që një takim kaq i rëndësishëm që mbahet një herë në katër vjet do të duhej të ishte prioritet siç është për ne, pro në këtë rast duket se bojkotimin në takimin e presidentes e bën vetëm Albin Kurti dhe Zlatan Elek. Unë po pretendoj që ata e kanë bërë në marrëveshje, por vërtet lë një shije të keqe kjo mungesë”.
aaaaa