“Kosova ka stabilitet” thotë Albin Kurti, i cili po qëndron në zyrën e kryeministrit gati katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare, pa një qeveri të re dhe ende pa Kuvend të konstituuar. Pasi një ditë më herët dha këtë vlerësim, të mërkurën, përfaqësuesen e saj e udhëzoi që në Presidencë të propozojë zgjedhje të parakoshme parlamentare si pasojë e bllokadës, bashkë me lokalet. Situata duket e pashpresë, ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet një pyetje për situatën.
Gazeta Express
Ngërçi politik në vend po vazhdon, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje insiston në propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Kuvendi dështoi të konstituohet për herë të 26-të sot. Pasi Haxhiu dështoi disa herë me radhë që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, LVV-ja po e hedh në votim çdo dy ditë propozimin për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili gjithashtu nuk po merr shumicën e nevojshme të votave.
Partitë tjera shqiptare argumentojnë se është shkelje ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit. Gjykata Kushtetuese po e shqyrton një pyetje që ka shkuar atje në lidhje me këtë çështje. Si afat procedural ky insitucion ka një kohë prej 60 ditësh për shqyrtuar lëndën.
Nga LVV-ja kanë thënë se do ta respektojnë çfarëdo vendimi të Kushtetueses.
Këtë do ta bëjnë edhe partitë tjera shqiptare. Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha sot se “çdo vendim i tyre do të jetë i pranueshëm” për këtë parti.
Mbrëmë, gjatë një paraqitje në televizionin publik, Bajrami ishte më direkte nëse Kushtetusja lejon votimin e fshehtë.
“Nëse Kushtetuesja do të vendosë të procedohet me votimin e fshehtë, deputetët prapë se prapë do të bëjnë të ditur votën e tyre”.
Të mërkurën në Presidencë shkuan partitë politike për konsultime për zgjedhjet lokale që mbahen në vjeshtë. Aty VV e coi propozimin që edhe paralmentaret, të parakohshme të mbahen të njëjtën ditë. Por, edhe kjo nuk është operacion i lehtë pasi edhe në këtë variant duhet të kryhet konstituimi i Kuvendit.
LVV-ja e Albin Kurtit, ndërkohë po negocion pasuksesshëm deri më tani për një koalicion me Nismën Socialdemokrate. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj dëshiron postin e kryetarit të Kuvendit.
Përveç që s’është dakord që t’ia lë Limajt këtë pozitë, LVV-ja, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera për të dalur nga kjo situatë, e ka përjashtuar edhe mundësinë të sjellë kandidat tjetër përveç Haxhiut.
Kurti, sipas PDK-së, LDK-së dhe AAK-së po e mban jashtëligjshëm pozitën e kryeministrit, pasi thonë se duhej të jepte dorëheqje paraprakisht sipas ligjit të ri për Qeverinë. LDK-ja ka dorëzuar kallëzim penal lidhur me ushtrimin e mandatit nga ai dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeverisës që u zgjodhën dhe betuan edhe si deputetë.
Me gjithë këtë situatë gati katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kreu i LVV-së foli për gjendje “stabile”.
“Kuvendi duhet të konstituohet. Kosova nuk ka kuvend, por Kosova ka Qeveri. Kosova ka stabilitet”, tha Kurti, kur u pyet nga gazetarët për ngërçin.
I pyetur për insistimin e Limajt për pozitën e kryetarit të Kuvendit, Kurti u përgjigj shkurtimisht: “E kemi dhënë propozimin tonë”.
Limaj u duk më optimist për një marrëveshje me LVV-në sot, kur shkoi në Kuvend në një tjetër tentim të dështuar për konstituim.
“Unë jam i bindur që Kosova shumë shpejt do t’i ketë institucionet e veta”, tha ai.
Ai përsëriti se “pa shumicë parlamentare nuk mund të ndërtohet asnjë gjë”, ndërsa tha se për këtë “duhet një marrëveshje politike”.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, tha të hënën në Frontal në T7 se “ka shpresë” për një marrëveshje me LVV-në.
Limajn e quajti figurë përbashkuese të cilin tha se “Kosova ka nevojë ta ketë në krye të Kuvendit”.
LVV-ja thirret në të drejtën ekskluzive kushtetuese që e ka partia e parë për ta propozuar kandidatin apo kandidaten për kryetar/e të Kuvendit, por Izmaku tha se zgjedhjen “e ka Kuvendi në dorë” dhe se kjo “nuk është çështje emërimi”.
Në tentimin për krijimin e një shumice në Kuvend, Kurti më herët i ka dërguar dy letra në drejtim të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Partisë më të vjetën në vend, ai i është lutur për koalicion, por është refuzuar.
aaaaa